Lajme

Siçilia, “ferri” i Evropës


Një qytet në Siçili ka regjistruar temperaturën më të nxehtë në historinë e Evropës, sipas meteorologëve.

Sirakuza, e vendosur në bregdetin jug-lindor të ishullit, pa termometrin në 48.8 gradë Celsius të mërkurën e 11 gushtit, sipas së përditshmes italiane “Corriere della Sera”, duke cituar të dhënat nga Sistemi i Informacionit Agrometeorologjik të Sicilisë (SIAS).

Nëse kjo temperaturë konfirmohet, ajo do të mundë rekordin e mëparshëm evropian prej 48 gradë Celsius, e regjistruar në vitin 1977 në Athinë.

Edhe pse ky rekord është pranuar nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), ai kundërshtohet nga disa klimatologë dhe meteorologë.

Në përgjigje të lajmeve nga Sirakuza, Duncan Scott, një meteorolog skocez, tha se më shumë rekorde ka të ngjarë të thyhen së shpejti.

“Një valë e nxehtë e rrezikshme që përfshin pjesën më të madhe të Afrikës Veriore dhe në Evropën Jugore po shpaloset kohët e fundit. Fokusi i nxehtësisë do të zhvendoset pak në perëndim dhe veri në ditët në vijim. Rekorde të tjera janë të pashmangshme”, tha ai.

Ashtu si shumë pjesë të Evropës dhe Afrikës Veriore, Sicilia është prekur nga zjarret e rënda javët e fundit, të cilat autoritetet lokale po përpiqen t’i frenojnë.

Flakët kanë shkatërruar pemë dhe kanë kërcënuar shtëpitë, veçanërisht në qendër dhe në jug të ishullit.

Më shumë se 3 mijë operacione për shuarjen e zjarrit janë kryer në Siçili dhe Kalabri në vetëm gjysmë dite, sipas zjarrfikësve lokalë.

“Ne duhet t’i përgjigjemi menjëherë kësaj emergjence, duke ofruar ndihmë ekonomike për ata që kanë humbur gjithçka”, tha ministri i Bujqësisë, Stefano Patuanelli.

Një 76-vjeçar mbeti i vrarë nga shembja e shtëpisë së tij për shkak të zjarrit.

Skenat në Greqi, Turqi dhe Tunizi janë po aq shqetësuese, me zjarret që dalin jashtë kontrollit dhe shkaktojnë viktima. Shumë banorë janë detyruar të evakuojnë shtëpitë e tyre, para se të përfshiheshin nga flakët.

Marrë nga The Independent, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore