Lajme

“Si partner afatgjatë e di se Serbia do të luftojë gjithmonë për popullin”, Vuçiç pas takimit me Lajçakun


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se është takuar me Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera ballkanike, Mirosllav Lajçak dhe kanë biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Një tjetër bisedë e hapur dhe konkrete me Miroslav Lajçakun për sfidat në rritje para nesh, pozitën e popullit serb, ngjarjet në Kosovë dhe zvogëlimin e hapësirës për zgjidhjen e çështjeve të hapura përmes dialogut konstruktiv dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.

Kreu i shtetit serb ka theksuar se “si partneri ynë afatgjatë, Lajçak e di se Serbia do të luftojë gjithmonë dhe në çdo vend për popullin”.

“E ritheksova se Serbia me këmbëngulje vazhdon të udhëheqë një politikë të përgjegjshme dhe serioze të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, por gjithashtu theksova se për ne nuk ka asnjë tërheqje apo kompromis kur bëhet fjalë për sigurinë e popullit tonë dhe mbrojtjen e interesave kombëtare”, potencoi ai.

Lajçak po qëndron për vizitë në Bosnje dhe Heregovinë. Po ashtu, gjatë së martës ka takuar edhe udhëheqësin e entitetit serb, Millorad Dodik, i cili ndjek prej kohësh një politikë secesioniste dhe minon funksionalitetin e këtij shteti.

“Gjatë vizitës në Bosnje-Hercegovinë, pata rastin të dëgjoj edhe perspektivën e Dodikut për situatën aktuale. Unë theksova momentin unik pozitiv nga ana BE-së dhe nënvizova se të gjithë aktorët vendas duhet të kontribuojnë për të shfrytëzuar këtë mundësi dhe për të vënë Bosnje-Hercegovinën në radhë të parë”, shkroi shkurt diplomati sllovak pas takimit.

Lideri ultra-nacionalist i serbëve të Bosnje-Hercegovinës ndodhet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe, por jo edhe të BE-së. Dodik refuzon autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës dhe zbaton një qëndrim konfrontues ndaj shteteve perëndimore, derisa bën thirrje për pavarësi.

Dodik, i cili mbështetet heshturazi nga Rusia dhe Serbia, refuzon rregullimin administrativ të Bosnje-Hercegovinës dhe autoritetin e zyrës së Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, derisa vazhdon kërcënimet se do të lëvizë drejt ndarjes së Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnje-Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore