Lajme

Si i injoroi Konjufca këshillat e Hovenier për Asocicionin me “lojë fjalësh”


Ilustrim: Jeffrey Hovenier dhe Glauk Konjufca

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ishte mjaft i precizë në këshillën e tij kur tha se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë sa më shpejt mendimin e Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin modern evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por jo edhe aq i qartë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën, në vlerësimin e të cilit, deklarata e ambasadorit amerikan është keq-lexuar.

Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje tha të premten se Bashkimi Evropian “nuk ka kompetencë” për t’i propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit, ani pse bashkëpartiaku i tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pranoi një të tillë në parim tashmë, nën ndërmjetësimin e bllokut, madje duke e cilësuar atë si një “draft të avancuar” krahasim me ato paraprake.

Krejtësisht jashtë realitetit, Konjufca, tha se “ndoshta Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova të propozojë një draft të Asociacionit”, duke ripotencuar se është gabim të mendohet që BE-ja propozon draft-statutin e Asociacionit, ndërsa detyra e vetme e Kosovës është dërgimi i tij në Gjykatë Kushtetuese.

“Është gabim të mendosh se është kompetencë e BE-së të na caktojë neve [draft-status për Asociacionin], kurse kompetencë e jona të jetë ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mendoj se është kompetencë e BE-së t’i propozojë draft Kosovës dhe Kosova të qëndrojë gatitur dhe ta dërgojë draftin që BE-ja e propozon. Nuk pajtohem me këtë procedurë”, pohoi ai.

Konjufca ndër të tjera potencoi se Kosova do ta implementojë Asociacionin, kur nënshkruhet Marrëveshja e Brukselit/Ohrit dhe kur Serbia ka respektim 100 për qind për Marrëveshjen në fjalë.

“Nëse Serbia e konsideron Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit tavolinë suedeze edhe na duhet ta konsiderojmë tavolinë suedeze, do të marrim nga ajo çfarë na pëlqen. Asociacionin që nuk na pëlqen, nuk e marrim, por nëse marrëveshja është obligative 100 për qind s’kemi qare pa e zbatuar”.

Konjufca i del kundër Kurtit: Kosova do të duhej ta propozonte vetë Statutin e Asociacionit

Për këtë katrahurë politike e lojë fjalësh të shtetarëve kosovarë, ka një shpjegim ligjëruesi në Universitetin e Prishtinë, Arben Fetoshi.

Sipas Fetoshit deklaratat të çakorduara të Konjufcës e Kurtit në raport me Asociacionin, jo vetëm që e kanë kthyer komunikimi politikë në komedi, por potencialisht po shkaktojnë edhe pasoja.

“Zotësia politike si ‘lojë fjalësh’, si kakofoni dhe cirk semantik në trajtën ‘Hovenier ka folur për një draft, e jo për draftin evropian’ (Glauk Konjufca), apo ‘s’e paskam ditur që Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës…’ (Albin Kurti), jo vetëm që e ka kthyer komunikimin politik në hajgare, por potencialisht shkakton edhe pasoja kur përballet me seriozitetin e nënkuptuar”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët perëndimorë i paraqitën Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për formimin e Asociacionit, i cili u hartua nga BE-ja.

Këtë dokument e pranoi Kurti, i cili madje siguroi Kosovën se i njëjti është shkruar “me kujdes dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Megjithatë, në fund të dhjetorit, Kurti tha se Kosova duhet të jetë autore e statutit dhe sugjeroi që atë ta shkruante vetë, në bashkëpunim me ministrin e tij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Kjo deklaratë ishte reagim ndaj një deklarate të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës.

Draft-Statuti im është i avancuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore