Lajme

Konjufca i del kundër Kurtit: Kosova do të duhej ta propozonte vetë Statutin e Asociacionit


Foto: Albanian Post

Në postet më të rëndësishme si në parti si në pushtet, njëri kryetar, tjetri nënkryetar, njëri kryeministër, tjetri kryeparlamentar, por për çështjen më të rëndësishme që Kosova e ka aktualisht, kanë shprehur qëndrime të ndryshme.

Mënyra se si është propozuar draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – kauza më e madhe kundërshtuese e tyre gjatë kohës sa kanë qenë në opozitë, por e pranuar në kostumin e pushtetit – ka bërë që Glauk Konjufca të dalë kundër asaj që ka vepruar Albin Kurti.

Ndonëse i është kërkuar, kryeministri Kurti, nuk ka propozuar në emër të Kosovës një draft-statut për Asociacionin, çka ka bërë që ndërmjetësi, në këtë rast Bashkimi Evropian, të sjellë një të tillë, ai që “Pesëshja e Madhe” ia solli në zyrë kreut të ekzekutivit më 21 tetor, për të cilin opozita, por edhe njohës të Kushtetutës po e konsiderojnë si tejet të dëmshëm për vendin, madje si një autonomi të zgjeruar për komunitetin serb.

Më 3 nëntor Kurti, kishte deklaruar se nuk ka propozuar draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për shkak se kishte besuar se ky do të ishte opsioni më i mirë, në mënyrë që ndërmjetësit mos të vinin me një mesatare aritmetikore midis Danijela Vujiçiç – e cila kishte propozuar një draft për këtë mekanizëm në cilësinë e kryesues së Ekipit Menaxhues – dhe propozimit të tij.

Mirëpo, më 8 dhjetor, Konjufca, e ka cilësuar si hap të gabuar propozimin e një draft-statuti të Asociacionit nga ana e Bashkimit Evropian, meqë sipas tij, një gjë të tillë do të duhej të bënte vetë Kosova në këtë rast ekzekutivi, gjë që bie në kundërshtim me atë që e kishte thënë Kurti.

Kryeministri, në seancën parlamentare të 3 nëntorit, ku ishte ftuar nga opozita që të raportonte për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, posaçërisht pas pranimit të draft-statutit evropian për Asociacionin, në tentativë për të shpjeguar pranimin, të cilën, për ta kundërshtuar kishte organizuar protesta masive, madje kishte hedhur gaz lotsjellës në kuvend, kishte folur edhe për atë se pse nuk e ka propozuar një të tillë në emër të Kosovës.

Arsyeja, pohonte Kurti, “që unë konsideroj që do të kishte qenë gabim, ta zëmë në majin ose qershorin, që ne ta shkruajmë një statut për Asociacionin – sepse atëherë ka qenë trysnia edhe insistimi më i madh: shkruajeni Kosovë draft-statutin – është se në njërën anë ndërmjetësi e ka pranuar draft-statutin e deputetes së Serbisë, kreut të atij Ekipit Menaxhues, Danjiela Vujçiç, i cili është edhe më keq se Republika Srpska”.

“Nëse ne si Kosovë do të shkruanim një draft-statut, atëherë për mua, prej bisedimeve të brendshme, ka qenë shumë e qartë se ndërmjetësi ka tendencën ta gjejë mesataren, dhe ajo mesatare do të ishte shumë më e keqe për neve”, vlerësonte Kurti.

Atëherë Kosova, besonte Kurti, “qeveria, posaçërisht unë, do të vendoseshim në një kënd me komplet insistimin ndërkombëtar për një mesatare midis asaj që shkruajmë ne dhe asaj që tashmë e kishte shkruar Danjiela Vujçeviç”.

Kurti shprehej i bindur se po ta bënte një gjë të tillë ka qenë “kurth” për të.

“Jam i bindur për këtë gjë, madje edhe më shumë sot se sa në pranverë edhe në verë që po të kisha shkruar unë një draft-statut do të vinin me një mesatare aritmetikore mes Danila Vuçeviç-it dhe meje si kryeministër i Kosovës, dhe kjo të ishte në dëm të Kosovës”, deklaronte.

“Kam insistuar në parime, në principe. Dhe tash emisarët kanë ardhur me një draft-statut, i cili njëmend i respekton këto principe, mirëpo prapë kam vërejtjet e mia”, shtonte.

Por, ndryshe nga Kurti do të deklaronte numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Konjufca, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” më 8 dhjetor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka cilësuar si hap të gabuar propozimin e një draft-statuti të Asociacionit nga ana e BE-së, meqë sipas tij, një gjë të tillë do të duhej të bënte vetë Kosova.

“Në të vërtetë, BE-së fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Kosova ta prezantonte në statut të tillë”, ka thënë Konjufca.

Numri dy i VV-së, në këtë intervistë ka shpjeguar arsyet që, sipas tij, pse BE-ja është ngutur duke propozuar një draft-statut të tillë.

“Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin që procesi ndoshta ngeci. Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë”.

Pikërisht, vlerësonte kreu i kuvendit, “për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Kosovës dhe shtetit të Kosovës”.

Nenet kryesore të draft-statutit të Asociacionit

Të shtunën e 11 nëntorit, për herë të parë, u publikua një draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin u tha se është ai që Kosova e ka pranuar.

Draft-statuti që emisarët evropiano-amerikanë ia sollën kryeministrit Albin Kurti në zyrë më 21 tetor.

Ky draft, përmban 45 nene dhe ndahet në shtatë kapituj.

Te neni 12, te pjesa e bashkëpunimit, thuhet se Asociacioni  do të ketë të drejtë të bashkëpunojë, brenda fushave të kompetencave të anëtarëve të vet, me komunat dhe institucionet, “duke përfshirë agjencitë qeveritare në Serbi”.

Një bashkëpunim i tillë, theksohet aty, mund të marrë formën e ofrimit nga institucionet serbe të asistencës financiare dhe teknike, duke përfshirë pajisjet, në zbatimin e kompetencave komunale.

Ndërsa, parashihet që donacionet e mallrave dhe pajisjeve nga Serbia do të përjashtohen nga çdo taksë ose detyrim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Asociacioni mund të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera, në pajtim me ligjin në fuqi”, thuhet aty.

Një nen tjetër që parasheh ky draft-statut i Asociacionit është ai i 14, ku bëhet fjalë për menaxhimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore të cilat, sipas këtij drafti, themelohen dhe financohen nga Serbia.

Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë financuar nga Serbia, sipas hapave të mëposhtëm:

“Në frymën e nenit 13 të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ‘Rrjeti Arsimor Serb i Kosovës’ dhe ‘Rrjeti Shëndetësor Serb i Kosovës’ do të themelohen si ofrues privatë të arsimit dhe shëndetësisë nën përgjegjësinë e Asociacionit, duke theksuar Serbinë si kontribuuesi financiar, si dhe zyrat kryesore të këtyre ofruesve të vendosur aktualisht në Serbi”, thuhet në njërën nga pikat.

Sipas këtij drafti, në Kosovë, këta bartës do të kërkojnë të kenë statusin e arsimit privat të huaj dhe ofruesve të huaj privat të kujdesit shëndetësor. Asociacioni do të kërkojë t’i regjistrojë këta ofrues dhe të marrë licenca operimi në përputhje me ligjin në fuqi.

“Çështjet që kanë të bëjnë me planprogramin arsimor do të rregullohen në pajtim me ligjin në fuqi. Me licencimin, Asociacioni do të menaxhojë funksionimin e këtyre ofruesve të arsimit dhe shëndetësisë”.

Pos këtyre, aty theksohet se Asociacioni do të angazhohet me Qeverinë e Kosovës me qëllim që këto shërbime të lirohen nga doganat dhe të gjitha detyrimet tjera për aq kohë sa ofrojnë shërbime në interes publik dhe në përputhje me këtë Statut.

Në territorin e anëtarëve të Asociacionit, parasheh ky draft, këta ofrues mund të përdorin objektet publike të krijuara dhe të bashkë-financuara nga Serbia për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.

Kurse te neni 42 bëhet fjalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore.

Te pika e parë e këtij neni, thuhet se çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore në lidhje me zbatimin ose interpretimin e këtij Statuti, i cili nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, me kërkesë të secilës palë në mosmarrëveshje, do t’i referohet për zgjidhje një komisioni arbitrariteti.

Ky komision, pohohet aty, do të përbëhet nga një arbitër që do të emërohet nga secila palë në mosmarrëveshje dhe një arbitër tjetër që do të emërohet si kryetar i komisionit me konsensus të palëve në mosmarrëveshje.

Mirëpo, nëse brenda tre muajve, secila palë në mosmarrëveshje nuk arrin të emërojë arbitrin përkatës ose palët në mosmarrëveshje nuk arrijnë të bien dakord për emërimin e kryetarit, ky arbitër ose kryetar, me kërkesën e secilës palë në mosmarrëveshje, “do të jetë emëruar nga Bashkimi Evropian”.

Madje, në draft theksohet se komisioni i do të krijojë rregullat e veta të punës dhe do të përpiqet të vendosë mosmarrëveshjet e tij brenda gjashtë muajve.

Sipas draftit të publikuar të shtunën, komisioni vendos për mosmarrëveshjen me dy të tretat e shumicës së arbitrave dhe se ky vendim do të pranohet nga palët në mosmarrëveshje si përfundimtar dhe i detyrueshëm, duke anashkaluar kështu Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ndërsa në nenin 43 parashihet që duke vepruar në emër të Asociacionit katër kryetarët e komunave të Kosovës Veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për emërim si Komandant Rajonal i Policisë së Kosovës, siç specifikohet në nenin 9 të Marrëveshjes së Parë, çka nënkupton se komandanti i policisë në këtë rajon duhet të jetë serb, pra përzgjidhet etnikisht.

Emri zyrtar i këtij mekanizmi do të jetë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa selia e tij do të jetë në Mitrovicën e Veriut.

Asociacioni, gjithmonë sipas këtij drafti, do të krijojë simbolet e veta zyrtare: flamurin dhe një stemë, ndërsa thuhet se vetëm simbolet zyrtare të Asociacionit, së bashku me simbolet shtetërore të Kosovës do të përdoren nga Asociacioni, në përputhje me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore.

Sa i përket autoriteteve qendrore të Asociacionit, janë Kryetari, Kuvendi, Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, ndërsa organi suprem i këtij mekanizmi do të jetë Kuvendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore