Lajme

Si e humbën besimin te Macron myslimanët francezë pas ndryshimit të sigurisë?


Në vitin 2017, punonjësi mysliman Zouhairr Ech Chetouani bëri fushatë për Emmanuel Macron në Asnières-sur-Seine, duke vendosur postera të politikanit të qendrës në të gjithë periferinë e Parisit Verior, që ai e quan shtëpi.

Pesë vjet pas fitores së Macron kundër Marine Le Pen, 47-vjeçari thotë se është i dyzuar, madje mendon që të hedhë një votë të bardhë në revanshin mes dy politikanëve më 24 prill.

Ech Chetouani është i pakënaqur nga ligjet e sigurisë, të cilat, sipas tij, synojnë në mënyrë disproporcionale myslimanët – një popullsi prej rreth 5 milionë banorësh, që priren të votojnë për kandidatët e majtë.

Hidhërimi i Ech Chetouani nxjerr në pah dëmin elektoral të shkaktuar nga zhvendosja konservatore e Macron-it.

Kështu mund të shpjegohet edhe fakti pse 69 për qind e myslimanëve francezë iu drejtuan kandidatit të së majtës ekstreme Jean-Luc Mélenchon në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 10 prill, ndërsa mbështetja e Macron-it në mesin e votuesve myslimanë ra me 10 pikë nga viti 2017, sipas IFOP.

Sondazhet e opinionit sugjerojnë se presidenti francez ka të ngjarë të fitojë kundër Le Pen të dielën, por më ngushtë se në vitin 2017.

Emmanuel Macron dhe Le Pen

Mélenchon, i cili mbështet emigracionin dhe një shoqëri multikulturore, dukej se ishte “opsioni i vetëm real i myslimanëve, sepse ata nuk i besojnë më Macronit”, tha Jérôme Fourquet i IFOP.

“Pas një fushate që u dominua nga e djathta ekstreme, veçanërisht nga i sapoardhuri Eric Zemmour, i cili vendosi përplasjen e qytetërimeve me Islamin në qendër të agjendës, myslimanët kërkuan të mbroheshin me votën e tyre”, tha ai.

Çështjet e Islamit, imigracionit dhe identitetit kanë dominuar debatin publik të Francës pas një vargu sulmesh terroriste islamike në vitet e fundit, ndërsa vendi po përpiqet të pajtojë republikën e tij laike, e cila u ndërtua kundër kishës dikur të fuqishme katolike, me ngritjen e Islamit dhe një shoqëri më të larmishme.

Në vitin 2017, Macron, i cili u bë i njohur si ministër i Ekonomisë nën presidentin socialist François Hollande, e portretizoi veten si një kampion i një France më multikulturore, duke deklaruar se qyteti i Marsejës me ngjyrë arabe-afrikane ishte i preferuari i tij.

Ai shprehu skepticizëm në lidhje me ligjet e sigurisë të zbatuara nga qeveria e tij në vazhdën e sulmeve terroriste islamike, duke sugjeruar se mund të konsideronte veprime afirmative, tabu në Francë ku grumbullimi i të dhënave racore ose etnike është i ndaluar.

Pasi u zgjodh, Macron u përqendrua në trajtimin e kërcënimit terrorist islamik.

Një nga lëvizjet e tij të para ishte zgjerimi i kompetencave të policisë dhe mbikëqyrjes si pjesë e një legjislacioni anti-terror, për të cilin grupet e lirisë civile paralajmëruan se rrezikonte të stigmatizonte popullsinë më të gjerë myslimane.

Një ligj tjetër i krijuar për të luftuar “separatizmin” në vendet nën ndikimin e ekstremistëve islamikë i dha shtetit më shumë kompetenca për të mbyllur xhamitë dhe për të gjurmuar grupet fetare.

Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin, ish-anëtar i partisë Les Republicains, e quajti Le Pen “shumë të butë” ndaj terrorizmit islamik, ndërsa ministri i Arsimit, Jean-Michel Blanquer, tha se shamia islame nuk ishte “e dëshirueshme”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore