Shqipëria

Berisha “shtyu” Alibeajn nga foltorja e Kuvendit, Kim: Ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet


Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, e ka dënuar “gjestin” e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj kryetarit të mandatuar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë ‘jo!’, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, llogaritjes së mosndëshkimit – ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet”, shkruan Kim në median sociale Twitter.

Incidenti i foltores

Fill pas mbarimit të fjalës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë zuri vend Alibeaj.

Gjatë këtij momenti, Berisha u drejtua për nga foltorja duke shtyrë Alibeajn për të marrë fjalën.

Si Alibeaj, ashtu edhe Berisha kërkuan të replikonin me Ramën.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së ia la vendin ish-liderit të demokratëve, por kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nuk i dha fjalën Berishës.

Nikolla, pasi i dha fjalën deputetit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i parashtroi masën disiplonore “tërheqje vëmendjeje” Berishës për gjestin ndaj Alibeajt.

Ndërsa, në një komunikim për mediat jashtë dyerve të Kuvendit, Berisha deklaroi se ishte një keqkuptim gjesti me Alibeajn.

Kjo pasi Berisha kishte hyrë me vonesë në parlament dhe nuk e dinte se Nikolla ia kishte dhënë fjalën edhe Alibeajt për të bërë replikë me Ramën.

“Në çdo aspekt më takonte fjala, unë dola për diçka tjetër. Alibeaj do t’i kthente përgjigje se ndoshta i është përmendur emri, po unë s’e dija se erdha me vonesë”, tha Berisha për mediat, pasi u ndërpre seanca për një pushim prej pesë minutash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore