Lajme

Shtyhet sërish seanca ndaj Sveçlës dhe 3 deputetëve të tjerë të LVV-së


Për të dytën herë me radhë brenda javës është shtyrë seanca gjyqësore ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, në rastin ku ata akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Të mërkurën seanca ishte shtyrë për shkak se njëra nga të akuzuarit, Fitore Pacolli kishte munguar, ndërsa të premten seanca është shtyrë për shkak se ka munguar, Drita Millaku, e akuzuara tjetër.

Në seancën e së premtes, të pranishëm përpos Sveçlës ishin edhe deputetët e tjerë të akuzuar Fitore Pacolli dhe Salih Zyba.

Seanca e radhës është caktuar për datën 26 mars.

Sipas Prokurorisë, ata akuzohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, si dhe për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 korrik të 2019-s.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca lidhur me akuzën për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 18 gusht të vitit 2016.

Kryetarja e trupit gjykues, Edita Çanta, kishte thënë se “përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që Konjufca e ka kryer veprën penale për të cilën e akuzon Prokuroria Themelore në Prishtinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore