Biznes

Shtohen edhe 8 kompani të tjera kineze në listën e zezë të SHBA-ve


Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, do të vendosë tetë kompani kineze në një listë të zezë investimesh për përfshirjen e tyre të supozuar në mbikëqyrjen e pakicës myslimane ujgure.

Pjesë e kësaj liste do të jetë edhe kompania DJI, ndryshe prodhuesi më i madh i dronëve komercial në botë.

Referuar dy burimeve të së përditshmes “Financial Times”, të cilët kanë njohuri mbi çështjen, Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vendosë firmat në listën e zezë të “kompanive të kompleksit ushtarak-industrial kinez”.

Dhe se masa e përcaktuar do të marrë jetë të enjten e 16 dhjetorit.

Tanimë, investitorëve amerikanë u ndalohet të marrin aksione financiare në 60 grupet kineze që janë pjesë e listës.

Kjo lëvizje shënon përpjekjen e fundit të Biden-it për të ndëshkuar Kinën mbi represionin e saj ndaj ujgurëve dhe pakicave të tjera etnike myslimane në rajonin veriperëndimor të Xinjiang-ut.

SenseTime, kompania e programeve kompjuterike për njohjen e fytyrës, shtyu javën e kaluar ofertën fillestare publike të planifikuar në Hong Kong pas raportimeve.

Kompanitë e tjera kineze që do të sanksionohen përfshijnë Megvii, rivali kryesor i SenseTime dhe Dawning Information Industry, një prodhues superkompjuterësh që operon shërbime kompjuterike cloud në Xinjiang.

CloudWalk Technology, një kompani software-ësh për njohjen e fytyrës, Xiamen Meiya Pico, një grup sigurie kibernetike që punon me zbatimin e ligjit dhe Yitu Technology, një kompani e inteligjencës artificiale.

Ndërkaq, do të jetë në listë edhe Leon Technology, një kompani kompjuterike cloud dhe NetPosa Technologies, një prodhues i sistemeve të mbikëqyrjes me bazë cloud.

Të tetë kompanitë janë tashmë në “listën e entiteteve” të departamentit të tregtisë, e cila i kufizon kompanitë amerikane nga eksportimi i teknologjisë ose produkteve nga Amerika në grupet kineze pa marrë një licencë qeveritare.

Sipas “Financial Times”, departamenti pritet gjithashtu të vendosë më shumë se dy duzina kompanish kineze në listën e entiteteve, duke përfshirë disa të fushës së bioteknologjisë.

Masa vjen teksa SHBA-të kanë mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj politikave të Kinës në Xinjiang, ku më shumë se një milion ujgurë dhe pakica të tjera janë mbajtur në kampe ndalimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore