Lajme

Shteti tkurret në “bashkësi lokale” – pritet betimi i kryetarëve të rinj në veri


Veriu i Kosoves

Ndonëse ceremonia e betimit të Kryetarit të Mitrovicës së Veriut nga radhët e partisë në pushtet, Erden Atiq, u bë në objektin komunal atje, kryetarët e rinj të Zubin-Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit do ta nisin detyrën në fshatra ku banojnë shqiptarët, larg objekteve komunale.

Qeveria e Kosovës s’ka arritur të sigurojë kushtet e nevojshme që kryetarët e sapozgjedhur të tri komunave të banuara kryesisht me serbë etnikë – Izmir Zeqiri, Ilir Peci dhe Lulzim Hetemi – të betohen për mandatin e tyre të jashtëzakonshëm e “të përkohshëm” në sallat e asambleve komunale në qendër.

Në Zyrën Lokale për Komunitete dhe Kthim në fshatin Çabër të Zubin-Potokut, do të betohet këtë të enjte Izmir Zeqiri, i cili fitoi zgjedhjet e 23 prillit me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa Ilir Peci nga e njëjta parti politike, ceremoninë e betimin do ta kryejë në shkollën “Isa Boletini”.

Nga ana tjetër, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, do të betohet në një Zyrë Lokale për Komunitete dhe Kthim në fshatin Bistricë të Leposaviqit, e cila praktikisht – deri vonë administrohej nga strukturat paralele serbe – do të shërbejë edhe si zyrë qendrore e kryetarit.

Ceremonitë për nisjen e mandatit të kryetarit të ri të Zubin-Potokut dhe atij të Zveçanit janë paralajmëruar të nisin nga ora 10:00 të enjten në mëngjes, ndërsa ajo për kryetarin e Leposaviqit në orën 13:00 të po së njëjtës ditë.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Kryetarët do të jenë “udhëheqës me ‘u’ të vogël”, tha edhe kryeministri Albin Kurti në fillim të muajit. Pra, udhëheqës të vegjël, por me synime të mëdha për veriun – shtrirjen dhe zgjerimin e sovranitetit institucional të Kosovës karshi ndikimit e ndërhyrjes së jashtme të Serbisë, përkatësisht Listës Serbe.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, po i sheh kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave në veri të Kosovës si udhëheqës “teknikë”, e jo politik, edhe pse zgjedhjet supozohet se janë gjithëherë dhe gjithkund veç politike, e jo “teknike”.

Me këtë mandat “teknik”, kryetarët e rinj rrezikojnë të jenë të pafuqishëm në detyrë dhe prijës pa autoritet, duke ushtruar funksione të zbrazëta. Ata kanë legalitet, por iu është kontestuar legjitimiteti, sepse në katër komunat e banuara me shumicë serbe votuan veç 13 serbë.

Synimet e udhëheqësve me ‘u’ të vogël, siç janë shprehur, janë të vendosin më shumë pushtet institucional të Kosovës, por siç po parashikohet tashmë, vazhdimësia e mandatit të tyre do jetë e lidhur më shumë me atë se çfarë do të ndodhë në Bruksel, sesa me përformancat e tyre në punët komunale.

Aktualisht, në Veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore