Shqipëria

Shqiptarët në Evropë jo si emigrantë, por si sipërmarrës të suksesshëm


Shqiptarët i gjen kudo nëpër botë. Diku si emigrantë, diku si punëtorë, studentë e diku tjetër si sipërmarrës.

Nuk kanë qenë të pakta rastet kur historitë e tyre të suksesit kanë zënë faqet e mediave, edhe botërore.

Dhe një rast suksesi është Xhuliano Hila, shkodrani që gjithë rrugëtimin e tij e nisi si student.

Tashmë, Hila zotëron dy biznese private: restorant dhe lounge bar (lokal) në Lisbonë, Portugali.

Në një tregim për Albanian Post, ai thotë se ideja e biznesit në Portugali ishte e rastësishme pasi “erdha me plane të tjera”.

“Jam larguar nga Shqipëria në vitin 2014 në drejtim të Italisë, ku dhe kam përfunduar studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Më pas vendosa të vazhdoj në Lisbonë me programin Erasmus për një vit. U adaptova, më pëlqeu si vend”.

Dhe këtu, nisi gjithçka. Me vështirësi, nga ato të fillimit, u përball dhe Hila.

“Zgjodha Portugalinë sepse e shoh si vendin e mundësive ngaqë është akoma një vend në zhvillim, në krahasim me vendet e tjera të BE-së”.

Lisbonë, Portugali

Ai tregon, se kanë zgjedhur kuzhinën italiane për të simbolizuar restorantin.

“Ideja e biznesit ishte e imja, pasi kisha eksperiencë nga Italia. Gjatë viteve të studimit kam punuar në restorante atje edhe ishte më e lehtë për ta konkretizuar në restorantin tim. E njihja si kulturë gatimi. Sipas mendimit tim, është kuzhinë që ecën kudo dhe thjeshtë”.

I riu shkodran tregon se italianët kanë qenë ato që e kanë “pranuar më lehtë faktin që një shqiptar të hapë biznes me kuzhinën e tyre”, ndryshe nga portugezët që nuk “e bënin lidhjen midis dy vendeve”.

Megjithatë, thotë ai kam “krijuar klientelë dhe është pritur shumë mirë”.

Në rrëfimin e tij, Hila tregon se dhe kuzhinën shqiptare nuk e ka lënë mënjanë.

“Ushqime tradicionale shqiptare në restorant nuk kemi, por shpesh herë gatuajmë për vete dhe miq të ngushtë portugez, gjëra tipike të Shqipërisë. Kam pasur goxha klientë nga vendi ynë”.

Dhe nuk ishte e vështirë për t’i kuptuar.

“Në momentin që i dëgjoja, hyja në muhabet dhe fillonim e bisedonim”.

Pavarësisht suksesit, i riu shkodran nuk e mendon një kthim në vendin e tij.

“Fatkeqësisht rikthimin ne Shqipëri nuk e mendoj sepse nuk shoh klimë të favorshme për të rinjtë që duan të merren me biznes”.

Portugalia shikohet si një “portë e mirë për të bërë biznes”, pasi standardet dhe ligjet e saj rregullohen me ato të BE-së për importin, tarifat dhe çështje të tjera.

Për specialistët e financave, afërsia me tregjet më të rëndësishme në BE është pozita e parë e favorshme e Portugalisë.

Sipas tyre, gjendja e biznesit në Portugali është tërheqëse për njerëzit e biznesit në të gjitha fushat. Për më tepër, vendi ka “kalibër të lartë të jetesës” dhe “struktura e favorshme e shpenzimeve” është një tjetër arsye për ta zgjedhur për biznes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore