Shqipëria

Shqiptarët janë ndër emigrantët më të riatdhesuar nga vendet e BE-së


Viti 2022 ka qenë një 365-ditësh i ngarkuar për autoritetet evropiane, për shkak të numrit gjithnjë e më në rritje të emigrantëve të jashtëligjshëm dhe atyre që kërkojnë azil në vendet perëndimore.

Përtej kësaj, nga vetë Bashkimi Evropian, shumë prej këtyre personave, që u trokasin vendeve anëtare në dyer, u kërkohet që të kthehen në vendet e origjinës.

E tillë ka qenë situata edhe vitin e shkuar, me 422 mijë urdhërime, kundrejt personave nga vendet e treta, të cilët i drejtohen vendeve të BE-së.

Shumicën prej tyre, i ka adresuar Franca për në vendet e origjinës, me 135 mijë. Teksa, ndjekëse, janë dy vende ballkanike, si Kroacia dhe Greqia, të cilat kanë politika të rrepta për kërkesat e azilit.

Gjermania, Italia apo Austria, radhiten më poshtë.

Duke qenë se çështja e ikjes së shqiptarëve është shtruar herë pas here si shqetësim kombëtar në vend, edhe këta të fundit, nuk bëjnë përjashtim në skemën e urdhërimit për t’u larguar nga vendet e BE-së.

Mirëpo, përkundër pritshmërive, duke marrë parasysh se personat me origjinë shqiptare janë jo të pakta në renditjet e kërkesave për azil, numri i atyre që duhet të kthehen, nuk është ndër më të lartët.

Kështu reflekton edhe raportimi i fundit nga Eurostat, organi i unionit sa i përket statistikave, i cili për tremujorin e fundit të vitit 2022, ka treguar se janë shtetasit afganë, atyre të cilëve më së shumti u është urdhëruar të kthehen pas, me 11% të gjithë emigrantëve.

Më pas, marokenët zënë 8% të totalit dhe algjerianët, 7%, me vendet e tjera të radhitura shumë më poshtë në listë.

Pavarësisht kësaj, kthimet faktike reflektojnë të tjera të dhëna, ku qytetarët e vendeve të treta, të riatdhesuar në shtetet e origjinës, janë gjeorgjianët dhe shqiptarët, respektivisht me 9% të totalit.

Fjala bie, në rastin e Francës, shtetasit më të shumtë të urdhëruar për të ikur ishin algjerianët, me 35% të totalit prej 135 mijë personash.

Por, ata të kthyer faktikisht, kanë qenë shqiptarët më të shumtët, me 2 mijë e 365 persona, pesë më shumë se sa 2 mijë e 360 algjerianët.

Përtej afërsisë mes vendeve, rol kyç në këtë luan edhe ndjekja rigoroze e politikave të riatdhesimit mes vendeve, ku Shqipëria me shumë vende ka lidhur marrëveshje, sa i takon këtyre të fundit dhe procedurat e kthimit të azilkërkuesve nga vendet e BE-së, janë shumë më të thjeshta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore