Shqipëria

Shqipëria zhvillon takimin e parë me KE-në për përafrimin e ligjeve


Shqipëria zhvilloi takimin e parë dypalësh në Komisionin Evropian për shqyrtimin analitik të Kapitullit 24 të BE-së (për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë).

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Sipas zyrtarit, kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për të dialoguar drejtpërdrejtë se si mund të përshpejtojmë dhe avancojmë procesin e integrimit.

“Jemi krenarë që sot prezantuam punën si produkt i ekipit tonë, për përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis të BE-së në lidhje me këtë kapitull. Ministria e Brendshme çel siparin e një përpjekje që do të vazhdojë me përkushtim e profesionalizëm”, theksoi Çuçi.

Ai shtoi se autoritetet janë të vetëdijshme se mbetet ende shumë punë për të bërë, për përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit.

Kjo, jo thjesht si plotësim i detyrimeve, por sepse reformat dhe rritja e standardeve i shërbejnë mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë.

Përgatitjet për negociatat e anëtarësimit u zhvilluan së bashku me misionin diplomatik të BE-së në Tiranë.

Ekspertët e integrimit në BE punuan nga afër me zyrtarë të qeverisë shqiptare për t’i bërë këto prezantime sa më efektive.

Rrugëtimi

Shqipëria, pas hapjes së negociatave në korrik, do niste bisedimet më 27 shtator për grupin e parë të kapitujve themelorë drejt integrimit evropian.

Puna konkrete asokohe u përqendrua te “gjyqësori dhe të drejtat themelore”.

Ky kapitull i negociatave, ishte një kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë dhe është ndër më të rëndësishmit të integrimit të shteteve jo anëtare në BE.

Takimi kishte në vëmendje shpjegimin e standardeve të legjislacionit të Bashkimit Evropian lidhur me garantimin e një mbrojtje gjyqësore efektive.

Po ashtu, u trajtuan çështje si politikat antikorrupsion, mbrojtja e të dhënave personale, mosdiskriminimi, të drejtat e fëmijëve apo liria e medias.

Autoritetet shqiptare vijuan rrugën e negocimit më 7 tetor për grupin e kapitujve themelorë drejt integrimit evropian.

Bëhej fjalë për shpjegimin e “Kapitullit 9”, i cili lidhet me “shërbimet financiare”.

“Një tjetër takim i rëndësishëm shpjegues po zhvillohet në Bruksel me ekipet e Komisionit Europian dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi Kapitullin 9: Shërbimet Financiare”, shkruante misioni diplomatik shqiptar në Twitter.

Përafrimi i legjislacionit

Ky proces i përafrimit ligjor njihet edhe si “aquis” (diçka për të cilën është rënë dakord).

Për secilin kapitull, dy takime formale ndërqeveritare zhvillohen mes vendeve kandidate dhe strukturave të BE-së.

Me plotësimin e kushteve të një kapitulli të caktuar nga vendi që aspiron unionit, kalohet në kapitullin tjetër, e deri në përmbylljen e gjithë procesit.

Një raport publikohet më pas nga Komisioni Evropian për çdo kapitull të diskutuar në konferencë.

Këshilli i Evropës më pas, është ai që vendos ta pranojë apo jo propozimin e ardhur nga raporti i Komisionit. Në bazë unanimiteti, vendoset edhe hapja ose jo e kapitujve nga një vend.

Më pas, e njëjta procedurë vlen edhe për mbylljen e kapitujve, deri në plotësimin tërësor të tyre.

Në rast më pas të arritjes së mbylljes së të gjithë kapitujve nga një vend, “Traktati i pranimit” merr jetë. Por, procesi i negociatave zgjat zakonisht disa vjet, në varësi të plotësimit të kushteve nga vendi kandidat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore