Shqipëria

Shqipëria, vendi i tretë i NATO-s që ratifikon plotësisht aderimin e Suedisë dhe Finlandës në organizatë


Me dekretimin e presidentit Ilir Meta, të dielën e 10 korrikut, Shqipëria kthehet në vendin e tretë të aleancës së Atlantikut të Veriut, i cili ratifikon plotësisht aderimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Vetëm tre ditë pas votëbesimit në Parlamentin e Shqipërisë me 114 vota pro nga 114 të pranishëm në sallë, kreu i shtetit ka firmosur dekretin për protokollin e anëtarësimit të vendeve nordike në organizatën ushtarake më të madhe në botë.

Vendi i parë, i cili e kaloi plotësisht ratifikimin për dy vendet, ishte Kanadaja. Vendi i dytë ndërkaq, u bë Gjermania, po më 7 korrik, kur Parlamenti i Shqipërisë e votoi ligjin.

Megjithatë, nga pala gjermane nuk ka nevojë për dekretim të mëtejshëm kur kalohet ligji, i cili mori vota unanime pro nga Bundestagu gjerman.

Polonia e ka votëbesuar po ashtu në dhomën e përfaqësuesve në Parlament më 7 korrik, por pritet gjithashtu fjala e fundit e Senatit dhe Presidentit të Republikës, të cilat do të jenë thjesht formalitete.

Ratifikimi është firmosur edhe nga Norvegjia, Danimarka, Estonia dhe Islanda dhe pritet vetëm dekretimi për ta quajtur të vulosur procesin.

Kështu, Shqipëria kthehet në vendin e tretë të aleancës, që e përmbyll plotësisht procesin e ratifikimit.

“Jemi të bindur se anëtarësia e tyre do të ndikojë në forcimin e kontributit të përbashkët në këtë aleancë. Së bashku qëndrojmë më të fortë!”, ishte arsyetimi i presidentit Meta, në njoftimin për shtyp pas bërjes publike të dekretit të tij.

Finlanda dhe Suedia kanë aplikuar për anëtarësim në NATO pas agresionit rus në Ukrainë, duke hequr kështu dorë nga neutraliteti i tyre.

Nga vetë strukturat e aleancës, vendimi është mirëpritur dhe është theksuar se do të bëhet integrimi i tyre i plotë sa më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore