Shqipëria

“Shqipëria, shembull i promovimit të bashkëpunimit”


“Shqipëria është shembull i promovimit të bashkëpunimit”.

Kështu është shprehur ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, gjatë ceremonisë së 76-vjetorit të krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në fjalën e saj, ajo ravijëzoi se OKB-ja është e vetmja shpresë për një botë paqësore.

“Shqipëria dhe rajoni, provë e vlerës së madhe që ka bashkëpunimi multilateral”, theksoi ministrja Xhaçka.

Ndër të tjera, ajo u ndal dhe te nisma e Fondit për Ballkanin Perëndimor (FBP), ku Shqipëria ishte e para që e mbështeti.

FBP-ja është një platformë bashkëpunimi mes Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – e nënshkruar që prej vitit 2015.

Në vijim, ministrja ka bërë me dije se, “jemi të angazhuar në zbatim të Agjendës 2030”. Kjo e fundit synon një botë pa varfëri dhe uri, arsim cilësor, mbulim shëndetësor universal, arritje të barazisë gjinore dhe fuqizim të grave dhe vajzave, si dhe me një mjedis të qëndrueshëm.

Ajo u ndal dhe te ndryshimet klimatike, çka po bëhet shqetësuese dhe, sipas saj, “është urgjente përballja me të”.

Ministrja përmendi dhe luftën ndaj ekstremizmit, ku, “duhet rigjetur dialogu e bashkëpunimi”.

Përveç këtyre, Xhaçka u ndal dhe te mandati dyvjeçar i Shqipërisë si anëtare e përkohshme në Këshillim e Sigurimit.

“Shqipëria fitoi me një mbështetje masive mandatin në Këshill të Sigurisë. Ky është një tregues i pjekurisë që ka arritur diplomacia shqiptare”, vijoi Xhaçka.

Në përfundim, ajo tha se, “Programi i Ri i Bashkëpunimit me OKB-në për periudhën 2022-2026 është gati”.

“Program orientues për ndërtimin e partneriteteve strategjike me mekanizmat e OKB-së”, e mbylli Xhaçka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore