Sport

Shqipëria nis rrugëtimin Katar 2022


Kombëtarja e Shqipërisë do të nisë ditën e enjte rrugëtimin për në Kupën e Botës, Katar 2022. Në ndeshjet e kualifikueseve të marsit, kuqezinjtë do të përballen me Andorrën, Anglinë dhe San Marinon.

Shqipëria është pjesë e Grupit I, për kualifikueset e Botërorit. Në këtë grup bëjnë pjesë gjashtë ekipe kombëtare, Shqipëria, Andorra, Anglia, San Marino, Hungaria dhe Polonia.

Ndeshja e parë hapëse për Kombëtaren e Shqipërisë, në eliminatoret e Botërorit, është përballë Andorrës. Të enjten e 25 marsit, në 20:45, do të luajnë me Andorrën, në “Estadi Nacional”.

Shqipëria ka luajtur tri ndeshje zyrtare me Andorrën. Dy, i ka luajtur së fundmi, në vitin 2019, për kualifikueset e Euro 2020 dhe një ndeshje miqësore. Përkatësisht, rezultatet e tre takimeve janë: 2-2 në Tiranë, 0-3 në Andorrë dhe 1-0 në Tiranë.

Në konferencën përpara ndeshjes, kanë folur trajneri Edoardo Reja dhe gardiani i portës, Etrit Berisha.

“Nuk është se kemi pasur shumë ditë në dispozicion për të përgatitur këtë ndeshje. Gjithsesi, ekipin e kam parë mire”, tha Reja.

“Kam qenë pak i shqetësuar, sepse në dy muajt e fundit situata nuk ka qenë mirë me lojtarët që luajnë me klubet e tyre, ka pasur dëmtime. Por situata është qetësuar dhe të gjithë po luajnë titullarë me ekipet e tyre dhe janë më mirë fizikisht”.

Tekniku italian nuk la pa vlerësuar edhe kundërshtarin.

“E dimë që Andorra është një kundërshtar i fortë, të cilin nuk duhet kurrsesi ta nënvlerësojmë”, shtoi ai.

Berisha vlerësoi rëndësinë e ndeshjes dhe pohoi se nuk u lejohen që të përsërisin gabimet e ndeshjes së shkuar ndaj Andorrës.

“Është një ndeshje e rëndësishme për ne, e njohim kundërshtarin, duke pasur parasysh se kemi luajtur edhe në kualifikueset e kaluara. Por kjo do të jetë ndeshje tjetër”, tha Berisha.

“Trajneri na ka treguar gabimet që i kemi bërë në atë ndeshje. Nuk kemi qenë të përqendruar në atë ndeshje, duke bërë gabime që kanë qenë edhe të evitueshme dhe duke futur edhe veten në vështirësi”, vijoi kapiteni kuqezi.

Shqipëria pritet të rreshtohet me skemën 3-5-2. Një skemë klasike për teknikun italian, Reja.

Në portë ka dyshime mes Strakoshës dhe Berishës. Në mbrojtje, treshja që do të fillojë do të jetë Ismajli – Gjimshiti – Kumbulla. Në mesfushë, Hysaj – Bare – Gjasula – Memushaj – Lenjani. Në sulm do të jetë dyshja, Cikalleshi – Manaj.

Ndeshjen e radhës kuqezinjtë do ta kenë në “Air Albania” përballë Anglisë, më 28 mars, duke filluar nga ora 18:00. Ndeshja e fundit e kualifikueseve të marsit, do të jetë në San Marino, më 31 mars, në orën 20:45.

Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë dy ndeshje miqësore në qeshor. Më 5 qeshor, përballë Uellsit dhe, më 8 qeshor, ndaj Republikës Çeke.

Kualifikueset për në Kupën e Botës 2022 do të rifillojnë në shtator dhe do të zgjasin edhe në tetor – nëntor.

Më 2 shtator, kuqezinjtë shkojnë në Poloni, më 5 shtator presin Hungarinë, më 8 shtator presin San Marinon, më 9 tetor shkojnë në Hungari, më 12 tetor presin Poloninë, më 12 nëntor shkojnë në Angli dhe më 15 nëntor presin Andorrën, në ndeshjen e fundit të kualifikueseve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore