Shqipëria

Shqipëria nën regjim të ri ndaj COVID-19


Nga sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID në Shqipëri, në një kohë që rastet e reja me coronavirus janë në rritje.

Vetëm të martën e 31 gushtit, nga Ministria e Shëndetësisë u njoftua se kishte mbi një mijë të infektuar.

Nisur nga panorama e situatës së krijuar nga prania e variantit Delta, më 30 gusht Komiteti Teknik i Ekspertëve zhvilloi mbledhjen mbi situatën epidemiologjike, duke ndërmarrë disa masa.

Nga sot, ora policore do të jetë 6:00- 23:00.

Pas pesë ditësh, më 6 shtator, qytetarët, të cilët duan të hyjnë në Republikën e Shqipërisë, duhet të plotësojnë një nga tre kushtet e vendosura nga Komiteti i Ekspertëve: të paraqesin pasaportën e vaksinimit, të kenë testin PCR negativ, ose një provë që kanë kaluar COVID-19.

Po ashtu, për qytetarët rezidentë në Shqipëri, nëse nuk i zotërojnë këto dokumente, duhet të izolohen për 10 ditë.

“Vaksinim i detyruar për disa kategori”

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe drejtuesja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli, bëri me dije edhe skemën e re të vaksinimit të detyruar për disa kategori.

Nga ana tjetër, në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se virusi nuk njeh kufi.

Sipas saj, vala e re e COVID-19 ka mbërritur më herët sesa vjeshta. Ajo ka theksuar se numri i të shtruarve është më i ulët se rajoni, por ende mbeten shifra shqetësuese.

“Shifrat e ditëve të fundit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë alarmante”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Mes moshave të reja, ka “forma të rënda të sëmundjes”, është fakti tjetër i dhënë nga ministrja.

Ajo ka bërë thirrje për vaksinim, pasi rreziku po rritet dita-ditës.

Fushata e vaksinimit

Ndonëse ekspertët vlerësojnë se Shqipëria ndodhet në një situatë më të kontrolluar në lidhje me vendet e rajonit, kjo ka të bëjë me fushatën e vaksinimit.

Ministrja ka shpjeguar se realizimi i vaksinës nuk duhet të jetë një vendim personal, pasi vendosen në rrezik mijëra jetë.

Një ditë më parë janë regjistruar pozitivë mbi 1 mijë vetë.

Varianti Delta është shkaktari kryesor i kësaj rritjeje. Kjo, pasi ai është shumë më lehtësisht i përhapshëm dhe infektues.

Rritje është parë edhe në shtrimin e pacientëve në spitale në javët e fundit. Gjithsesi, shifrat janë sërish më optimiste se e njëjta periudhë gjatë vitit të shkuar.

Kapacitetet e spitalit COVID 1 janë të mjaftueshme momentalisht në përballimin e situatës së të shtruarve.

Pavijonet e spitalit infektiv po punojnë me kapacitet të plotë për të përballuar rastet e shtrimeve, përfshi ato në terapi intensive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore