Zgjedhjet në Shqipëri

Shqipëria në heshtje zgjedhore


Pas një muaji fushate, Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në 24-orëshin e fundit përpara se qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit, për të hedhur fletët e preferencave të tyre partiake apo kandiduese.

Zyrtarisht, në heshtje zgjedhore.

Përgjatë 30 ditëve të fundit të fushatës – një fushatë jo të zakontë nën kushtet e pandemisë të shkaktuar nga Covid-19 – gjithçka ka ndodhur.

Por, tashmë, palët politike duhet t’i lënë piedestalin e skenës sovranit popull. Ky i fundit vendos për katër vitet e ardhshme.

Por, çfarë është heshtja zgjedhore?

Koncepti i heshtjes zgjedhore, hyn në fuqi një ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Më pas, ajo vazhdon deri në çastin e mbylljes së procesit zgjedhore, në ditën e votimeve.

Heshtja nënkupton se propaganda politike nuk mund të ushtrohet. Zhvillimi i fushatave zgjedhore është rreptësisht i ndaluar në bazë të Kodit Zgjedhor.

Për sa i përket rrjedhës së votimeve, ajo është e lejuar të kryhet. Situata raportohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe media. Organizatat jo Qeveritare mund të jenë të angazhuara në proces.

Gjithsesi, në rast të incidenteve zgjedhore, ato lejohet të raportohen edhe nga palët politike. Kjo, për sa kohë objekti i raportimit, nuk kthehet në propagandë politike.

Çfarë pritet të ndodhë në Qendrat e Votimit gjatë këtij harku kohor?

Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dita përpara mbajtjes së tyre përkon me përfundimin e përgatitjeve të Qendrave Zgjedhore, për t’u hapur në orën 07:00 të ditës së votimit.

Gjatë kësaj periudhe, përfundon shpërndarja e materialeve zgjedhore në qendra votimi.

Në tërësi, në Shqipëri, janë 12 qarqe. Këto përfshijnë brenda tyre 61 bashki, të ndara në 92 Zona të Administrimit Zgjedhor.

Janë 383 njësi administrative të përfshira. Qendra votimi ndërkaq, janë 5 mijë e 199. Pikërisht në dhomat e fshehta të këtyre të fundit, mund të votojnë këtë vit 3 milionë e 588 mijë e 869 zgjedhësit shqiptarë.

Materialet zgjedhore të përfshira, janë fletët e votimit, kutitë dhe dhomat e fshehta. Ambientet ku zhvillohen votimet, janë kryesisht objektet arsimore. Më të mëdhatë të këtyre të fundit, do të shërbejnë edhe si qendra të numërimit të votave më pas.

Fletët e votimit, sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, kanë nisur shpërndarjen që në datën 22 prill. “Brenda hapjes së votimeve, të gjitha qendrat do të jenë të pajisura me mjetet logjistike”, ka pohuar ai.

Risitë e votimeve të 25 prillit

Në Shqipëri, për herë të parë, do të aplikohet identifikimi elektronik i votuesve. Sistemi është testuar më herët nga komisioneri Celibashi, dhe ka shfaqur efikasitet të plotë.

Në njësinë Nr. 10 në Tiranë ndërkaq, do të aplikohet për të parën herë votimi dhe numërimi elektronik.

Kjo njësi është përzgjedhur për shkak se ka numrin më të vogël të qendrave të votimit, vetëm 31 të tilla. Sistemi është testuar tashmë dhe është gati për t’u sprovuar në qarkun kryeqytetas.

Nëse gjithçka funksionon sipas planeve, pritet që zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2023, të jenë tërësisht elektronike.

Urimet mbi përgatitjen e KQZ-së, i kanë bërë edhe ambasadorët e huaj në Shqipëri.

Tashmë, e vetmja gjë që pritet, është hapja e kutive dhe parja e trendit të votës popullore.

Partia Socialiste garon e vetme në këto zgjedhje. Demokratët dhe LSI-ja, të vetëm, por me një koalicion paszgjedhor.

Pjesa më e madhe e qarqeve kanë 12 mundësi votimi. Në katër prej tyre, mundësitë janë 13, pasi garojnë edhe kandidatë të pavarur.

24 prilli është i heshtjes zgjedhore, 25-a i shqiptarëve!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore