Shqipëria

Shqipëria me “sytë” nga Maqedonia e Veriut në pritje të Konferencës së Parë Ndërqeveritare


Qeveria shqiptare është me sytë nga Shkupi zyrtar në pritje të zgjidhjes së kundërshtive historike mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Kjo e fundit, ka mirëpritur propozimin francez të presidentit Emmanuel Macron i cili përmbylli më 30 qershor kryesimin e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi pas përmbylljes së punimeve të Samitit të NATO-s në Madrid se zgjidhja e ngërçit për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është në drejtim të mbarë.

“Për në atdhe pas një samiti veçanërisht të ngarkuar të NATO-s, ku morëm sidoqoftë kënaqësinë e dyfishtë të një pune të mbarë, qoftë në aspektin e kontributit të Shqipërisë për Aleancën, qoftë në drejtim të zgjidhjes së ngërçit për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, shkruante Rama në median sociale Facebook.

Maqedonia e Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski paralajmëroi se vendi ka hyrë në një proces gjithëpërfshirës konsultimi.

Kjo, lidhur me propozimin francez për zgjidhjen e përplasjeve historike dhe sociale me Bullgarinë.

Qëndrimi zyrtar i Maqedonisë së Veriut për të pranuar ose hedhur poshtë propozimin francez do të bëhet me dije kur të shterohet konsultimi me të gjithë aktorët politikë, Kuvendin, sektorin civil, qytetarët.

“Ne kemi plan dhe strategji që po jep rezultate prandaj apeloj deri tek aktorët politik dhe mediat që të përmbahemi nga spekulimet dhe të marrim informacione nga institucionet. Ne do jemi transparent deri në vendimin final. Vendimin do e marrin bashkë sipas interesave tonë strategjik”, theksoi kryeministri maqedonas.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, e konsideroi propozimin e modifikuar francez, i cili ka mbërritur në Shkup, shumë më të mirë se propozimi paraprak.

“Presidenti francez Macron më njoftoi, kurse unë ia transmetova kryeministrit Kovaçevski, se Franca si kryesuese e BE-së, do të bëjë modifikime në tekstin e propozuar të kornizës negociuese. Mund të them se propozimi i modifikuar francez është shumë më i mirë se i mëparshmi”, shtoi kreu i shtetit.

Pendarovski sqaroi se është njoftuar mbi përmbajtjen e propozimit, por siç tha ai, nuk do ta komentojë derisa nuk ka një përgjigje zyrtare nga Sofja dhe Shkupi.

Konferenca Ndërqeveritare

Të enjten e 29 qershorit, kreu i Grupit Parlamentar të Socialistëve, Taulant Balla, konfirmoi nga foltorja e Kuvendit se Konferenca Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së do të mbahet javën tjetër.

“Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimit tonë drejt anëtarësimit në BE, që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 vendeve anëtare për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së”, nënvizoi fillimisht Balla.

Sipas tij, ky është një moment i rëndësishëm, pas komunikimeve disa orëshe të parlamenteve anëtare.

Ai theksoi se dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare javën e ardhshme është fakt.

Këtë fakt e paralajmëroi më 26 qershor Albanian Post, duke cituar një burim diplomatik ndërkombëtar.

“Ka një mundësi por është zbehur, pasi maqedonasit duan t’i bëjnë një amendim të vogël propozimit francez”, sqaronte zyrtari ndërkombëtar në kushte anonimiteti për AP-në.

Sipas burimit, nëse Bullgaria e pranonte ajo do të miratohej në margjinat e Samitit të Nato-s në Madrid.

“Nëse Bullgaria nuk e pranon, RMV-ja do e refuzojë, pra do jetë Maqedonia e Veriut ajo që nuk do pajtohet me propozimin”, ravijëzonte në përmbyllje zyrtari ndërkombëtar i cili ishte pjesëmarrës në samit.

Procedurat

Konferenca e parë Ndërqeveritare nis zyrtarisht edhe bisedimet për anëtarësim të një vendi në Bashkimin Evropian.

Në konferencë mblidhen përfaqësues të qeverisë dhe përcaktohen kornizat themelore.

Këto korniza përcaktojnë udhëzimet dhe parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit me çdo vend kandidat.

Komisioni do të fillojë menjëherë punën e nevojshme përgatitore.

Negociatat zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në atë që quhet konferencë ndërqeveritare.

Faza e parë përfshin shqyrtimin rigoroz të legjislacionit të vendit kandidat; negociatat pastaj vazhdojnë në mënyrë metodike përmes një sërë legjislacioni të BE-së, të cilin vendi kandidat duhet të miratojë dhe zbatojë.

Negociatat shtrihen edhe në të drejta dhe detyrime të tjera që të gjitha Shtetet Anëtare duhet të pranojnë – këto njihen si Community acquis.

Negociatat e anëtarësimit duhet të përfundojnë përpara se një shtet i ri anëtar të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Reformat politike dhe ekonomike të kryera nga vendi kandidat monitorohen dhe vlerësohen rregullisht dhe ritmi i negociatave përcaktohet nga rezultatet.

Vetëm kur të gjitha palët janë të kënaqura, procesi përfundon me nënshkrimin dhe ratifikimin e një Traktati të Aderimit.

Gjatë procesit të negociatave për anëtarësim, kandidatët dhe vendet kandidate potenciale mund të marrin mbështetje përmes Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit (IPA).

Kjo përfshin një sërë programesh ndërkufitare me shtetet anëtare të BE-së, të cilat pasqyrojnë nga afër funksionimin e fondeve strukturore.

Negociatat e anëtarësimit janë aktualisht në vazhdim me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Negociatat janë hapur edhe me Islandën, por aktualisht janë në pritje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore