Shqipëria

Shqipëria, jo më “e pëlqyera” e shpendëve


Shqipëria karakterizohet nga një peizazh i larmishëm, pozicion gjeografik, reliev i pasur, klimë e favorshme në çdo stinë të vitit, duke ofruar kështu kushtet e nevojshme për dimërimin e shpendëve migratore.

Sipas një raporti të Ministrisë së Mjedisit, publikuar në 2018, prej vitesh në lagunat bregdetare dhe liqenet e vendit numri i shpendëve në Shqipëri arrin në rreth 370 lloje, nga të cilat rreth 290 lloje janë autoktone.

Ndërsa nga veriu në jug të Evropës e më tej në Afrikën Veriore dhe Azinë e Vogël mund të numërohen rreth 80 lloje shpendësh shtegtarë.

Por, në përfundim të sezonit dimëror 2021-2022, mijëra shpendë shtegtarë nuk ia dolën që të ceknin bregdetin perëndimor të Shqipërisë.

Sipas specialistëve, shqetësimi mbarëbotëror – ngrohja globale – ka ndikuar edhe në vendin tonë. Ndryshe nga çdo vit tjetër, në Lagunën e Divjakës u vu re një mungesë prej 9 mijë shpendësh.

Drejtori i Parkut Kombëtar Divjakë – Karavasta, Ardian Koçi, për Albanian Post shpjegon fillimisht se “arsyet janë të shumta, por mbi të gjitha, është ngrohja globale ajo që ka ndërprerë stinët e migrimit dhe riprodhimit”.

Ai thotë se, në vitet e fundit, disa lloje të patave migruese – duke përfshirë patën gri, patën e rrallë ballëbardhë, e cila shumohet në tundrën e Rusisë Veriore dhe Skandinavisë – “kanë dështuar në masë të madhe për të bërë pelegrinazhin e tyre dimëror në Shqipëri”.

Ndërkohë, ornitologu shqiptar që ka punuar për ruajtjen e natyrës në Shqipëri gjatë 10 viteve të fundit, Mirjan Topi, sjell në vëmendje arsye të tjera që ndikojnë në këtë rënie, apo zhdukje të shtegtimit të shpendëve.

“Fragmentarizmi, humbja e cilësisë dhe e sipërfaqeve fizike të habitateve natyrore, si pasojë e urbanizimit, infrastrukturës dhe ndotjes”.

Në vijim, Topi shprehet se “pakësimi i rezervave ushqimore si pasojë e mbishfrytëzimit të burimeve natyrore, si dhe shqetësimi që buron nga aktivitet e ligjshme dhe të paligjshme sikundër është gjahkeqësia”, në Shqipëri është rritur.

Ndër të tjera, ornitologu ravijëzon se ky problem është i pallogaritshëm për shumicën e popullatës, ndonëse kjo e fundit nuk është në dijeni të rëndësisë së shpendëve në jetën e gjithsecilit.

“Vlerat e shpendëve, shumëdimensionale”

“Për të mbajtur dorën” dhe të përpiqemi të ruajmë gjithë ekosistemin, Topi shpjegon vlerat e shpendëve.

“Shpendët janë ruajtësit e cilësisë së ujit”, thotë ai, “pasi, pa prezencën e tyre, jo vetëm tokat bujqësore, por edhe ujërat, lumenjtë, liqenet, detet dhe oqeanet do të ndoteshin më shumë nga hedhja e pesticideve bujqësore, duke dëmtuar gjithashtu rezervat e peshkut dhe të gjitha gjallesave të tjera ujore”.

“Pastrues shumë të mirë të mjedisit”, i cilëson Topi shpendët.

Këtu përfshihen edhe ato të zonave urbane, si korbat, sorrat, galat dhe laraskat, “që mund të duken jo fort të bukur, me zë të çjerrë dhe jo fort të këndshëm, por na ndihmojnë në pastrimin e vendit nga hedhurinat ushqimore”.

“Gjithashtu shpendët janë burim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit tonë nëpërmjet turizmit të kundrimit të shpendëve”.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia, shpendët e egër janë tregues i cilësisë së mjedisit.

“Një mjedis është i pastër dhe i shëndetshëm, aty ku llojshmëria dhe numri i shpendëve është i madh. Në të kundërt mjedisi është i degraduar dhe i pashëndetshëm”, thotë Topi.

Të respektohet ligji i biodiversistetit”

Përballë kushteve kur e gjithë bota po përballet me krizën klimatike, specialisti vë theksin se “dora e njeriut” duhet të ndalet.

Duke sjellë në vëmendje ligjin “për mbrojtjen e biodiversitetit” – sipas të cilit ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i llojeve dhe habitateve të tyre është pjesë e politikave, planeve, programeve dhe vendimmarrjes shtetërore, në nivel kombëtar dhe vendor – Topi bën thirrje që të respektohet ky legjislacion dhe asgjë më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore