Shqipëria

Shqipëria i vjen në ndihmë Greqisë, dërgon mjete dhe efektivë të zjarrfikëses


Dy trupa të zjarrfikëses janë nisur nga Maliqi dhe Korça drejt Greqisë për ndihmë mbi situatën alarmante të zjarreve në pyje.

Nga Maliqi drejt Greqisë janë nisur përkatësisht katër efektivë dhe një automjet zjarrfikës.

Gjithashtu nga qyteti i Korçës është nisur një tjetër mjet dhe pesë efektivë.

Sakaq, kanë qenë kryetarët e Bashkive, të cilët kanë urdhëruar që nga autoritetet të ofrohet ndihmë për shuarjen e flakëve me përmasa të mëdha në shtetin Grek.

Zjarrfikësit janë nisur përpara disa orëve dhe momentalisht janë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, aty ku po kryejnë procedurat për kalim drejt shtetit fqinj.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në median sociale “X”, ka treguar trishtim për atë çfarë po ndodh në Greqi me zjarre masive të shtrira në gjithë vendin, viktima të shumta dhe sipërfaqe të mëdha pyjore të shkrumbuara.

Një tragjedi e vërtetë më herët është regjistruar në pyllin e Dadia-s, në rajonin Evros të Greqisë, pasi janë gjetur 26 trupa të djegur emigrantësh.

Pylli, i cili u përfshi nga zjarret edhe vitin e kaluar, ndodhet mes flakësh që prej ditës së djeshme të 21 gushtit.

Teksa, zjarret masive, që prej fillimit të verës nuk kanë kursyer as ishujt grekë, me të shumtë që u gjendën në flakë dhe që dërguar përpara kohe turistët në shtëpi.

Rodosi mbi të gjitha, pa ndër zjarret më masive të dekadës së fundit, ku pamjet thuajse apokaliptike bënë xhiron e botës, me dhjetëra mijëra turistë rrugëve për të gjetur shpëtim në anije që largoheshin nga ishulli, apo edhe fluturime të mundësuara nga qeveritë e vendeve të tyre, për t’i shpëtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore