Shqipëria

Shqipëria i bashkohet kufizimeve të BE-së ndaj veprimeve destabilizuese të Rusisë në Ukrainë


Autoritetet shqiptare i janë bashkuar masave kufizuese të Bashkimit Evropian në lidhje me veprimet e Rusisë që destabilizojnë situatën në Ukrainë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Këshilli Evropian, përmes një publikimi në faqen zyrtare.

“Këshilli vendosi që masat kufizuese të përmendura në nenin 4g të Vendimit 2014/512/CFSP do të zbatohen që nga 1 tetori 2023 në lidhje me të gjitha subjektet e përmendura në pikën (3) të aneksit të Vendimit (CFSP) 2023/1217. Ky Vendim hyn në fuqi një ditë pas publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian”, shkruhet fillimisht në njoftim.

Sipas Këshillit të BE-së, vendet kandidate Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Bosnjë-Hercegovina, si dhe vendet e EFTA-s, Islanda dhe Lihtenshtajni, anëtarë të Zonës Ekonomike Evropiane, radhiten me këtë Vendim të Këshillit.

Brukseli zyrtar vëren se këto vende do të sigurohen po ashtu që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me këtë Vendim të Këshillit.

“Bashkimi Evropian e merr parasysh këtë angazhim dhe e mirëpret atë”, përmbyllet deklarata zyrtare.

Në korrik të këtij viti, Shqipëria iu bashkua paketës së 11-ë të sanksioneve evropiane kundër Rusisë, së bashku me disa vende të tjera të rajonit dhe vende të cilat nuk janë anëtare në Bashkimin Evropian.

Në të, theksohej asokohe angazhimi i Shqipërisë, së bashku me vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, apo Ukraina, të cilat e linjëzojnë politikën me atë të unionit.

Paketa e 11-ë, merrte një sërë masash sa i takon atyre tregtare, transportit, energjetikës, apo çështjeve të tjera si ato mediatike dhe të sigurisë kombëtare.

Pesë media të tjera ruse janë sanksionuar nga unioni, ndërkohë që i ngrihen asetet edhe 100 individëve të tjerë, të cilët mendohet se kanë lidhje me regjimin e Vladimir Putinit.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022, marrja e sanksioneve ndaj Rusisë është parë si një ndër metodat më të frytshme për të ndalur agresionin ndaj Kievit.

Pavarësisht se diçka e tillë nuk është arritur, ka pasur shenja të frenimit të pushtimit rus dhe është vënë re gjithashtu një mungesë e financimit të Moskës në këtë fushatë të ndërmarrë, me pak vende aleate të mbetura pranë Kremlinit.

Shqipëria ka qenë ndërkaq ndër të parat vende, që e ka mbështetur plotësisht fushatën e sanksioneve evropiane ndaj Rusisë dhe i ka aplikuar vetë të gjitha paketat e paraqitura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore