Shqipëria

Shqipëria dhe Spanja, marrëveshje për ekstradimin e shtetasve


Ministri i Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, Ulsi Manja, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se është arritur një marrëveshje me autoritet spanjolle.

Ai e ka cilësuar këtë nënshkrim një shenjë të bashkëpunimit të fortë mes dy vendeve.

“Marrëveshja ka të bëjë me eliminimin e pengesave ligjore në fushën penale”, tha Manja.

Sipas tij, në këtë mënyrë do të bëhet ekstradimi i shtetasve nga të dyja palët.

“Është një instrument shtesë në marrëdhëniet tona”, shtoi ai.

Ministri theksoi se asnjë shtetas shqiptar, që kryen krime, nuk do të gjejë strehim në Spanjë dhe anasjelltas.

I pyetur nëse ka ndonjë shifër për ekstradimet që do të kryhen, Manja u shpreh se është ende herët.

“Kjo forcon bashkëpunimin mes autoriteteve gjyqësore, përmirëson ekstradimin, por shërben dhe si instrument shtesë”, përmbylli Manja.

Marrëveshjet e mëparshme

Më herët ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka firmosur në Londër marrëveshjen për transferimin e të burgosurve në vendin e tyre të origjinës.

Nga kjo marrëveshje do të mundësohet mirëqenia e të burgosurve dhe riintegrimi i tyre në shoqëri në vendin e origjinës.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj
Marrëveshja për ekstradimin e të inkriminuarve

Duke folur nga Tirana ku ajo nënshkroi një marrëveshje për të forcuar rregullimet e dëbimit, ministrja e Brendshme të Britanisë së Madhe, Priti Patel theksoi se, “Unë nuk kërkoj falje për kërkimin e largimit të kriminelëve të huaj sepse kështu po ruhet siguria e Britanisë e Madhe”.

Deri më tani, më shumë se 1 mijë kriminelë të huaj janë deportuar nga MB-ja. Shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të shtetasve të huaj në burgjet e MB-së, gjithsej 16% të shkelësve të ligjit.

Shifrat e fundit tregojnë se numri i shqiptarëve në burg është pothuajse dyfishuar nga 876 në gusht të 2001-it në 1 mijë e 574 në mars të këtij viti.

Bandat kriminale të shtetit ballkanik janë të njohura globalisht për trafik dhe prodhim droge dhe ato luajnë një rol kryesor në kontrabandën e njerëzve në Britani.

Gjatë një udhëtimi dyditor në Shqipëri, Sekretarja e Brendshme, Patel gjithashtu takoi kryeministrin, Edi Rama dhe diskutoi mbi përpjekjet e përbashkëta për të trajtuar krimin e rëndë të organizuar, përfshirë trafikimin e drogës dhe krimin e imigracionit.

Për Patel, kriminelët, si dhe ata që nuk arrijnë të marrin azil nga Shqipëria do të përballen me një kthim më të shpejtë në vendin e tyre.

Kjo, nën një marrëveshje të re pas Brexit, të siguruar nga Priti Patel mbrëmjen e 8 korrikut. Marrëveshja do ta bëjë më të lehtë deportimin e shkelësve të dënuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore