Lajme

Shpërblehet përsëri “Apetit SH.P.K”, Komuna e Podujevës i jep tenderë për furnizim me mëshqerra


Shpejtim Bulliqi

Vetëm pak ditë pasi u konfirmua se kompania kosovare “Apetit sh.p.k” ka blerë mish nga Brazili dhe atë e ka shitur në Shqipëri si mish me origjinë nga Kosova, duke falsifikuar dokumentet në bashkëpunim ilegale me inspektorët e shtetit që funksionojnë brenda Ministrisë së Bujqësisë e udhëhequr nga Faton Peci, Komuna e Podujevës ka lidhur një kontratë disa mijëra eurosh me kompaninë në fjalë.

Komuna e Podujevës e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi i cili vije nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje –  partia në pushtet – më 16 prill të këtij viti ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 413 mijë e 952 euro me kompaninë “Apetit SH.P.K” për furnizimin me mëshqerra.

Kontrata

Ndryshe javë më parë Albanian Post raportoi se kompania me bazë në Kosovë “Apetit SH.P.K” blen mish nga Brazili, i cili vjen fillimisht në Shqipëri e që për destinacion final ka Kosovën.

Kur kjo kompani e merr mishin nga Brazili, përmes lidhjeve ilegale dhe korrupsionit në Agjencinë Shtetërore të Kosovës për Ushqim dhe Veterinari, që është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, i heq vulat e Brazilit dhe i zëvendëson me vula të shtetit të Kosovës.

Më pas këtë mish e shet në Kosovë, por edhe e eksporton në Shqipëri.

Vetëm në vitin 2023 kishte rreth 600 tonë mish të eksportuar në Shqipëri nga Kosova.

Ky mish eksportohet si “mish vici i freskët i Kosovës”.

Në paketime vendosen vula të Kosovës me data fiktive, se kinse gjethet janë prerë vetëm para një muaji në Kosovë.

Për këtë rast Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur edhe hetime.

Prokuroria nis hetimet për kompaninë “Apetit sh.p.k”

Albanian Post ndër të tjera raportoi se Kompania që u zu duke importuar mish të Brazilit dhe më pas të njëjtin duke e eksportuar për mish të freskët të Kosovës, furnizon me mish spitalet rajonale, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Qendrën e Studentëve dhe 21 Komuna të Kosovës.

Që nga viti 2022 kompania “Apetit Group” dhe kompania tjetër me të njëjtit pronarë “Riki” janë të kontraktuar nga shteti i Kosovës, që të furnizojnë të gjitha spitalet dhe institucionet e tjera të shëndetit në Kosovë me mish pule dhe mish gjethi.

E njëjta kompani dhe kompania tjetër me pronarë të njëjtë “Riki” furnizon me mish pule, mish gjethi dhe produkte të tjera të mishit Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Spitalet Regjionale në Mitrovicë, Pejë, Ferizaj, Vushtrrie e Gjakovë.

Gjithashtu, këto kompani kanë kontrata për të furnizuar me mish Shërbimin e Shëndetit Mendor në Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë e Shtime.

Sipas dokumenteve që janë publike në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, loti i parë i tenderit ishte “Furnizimi me mish gjedhi dhe produkte të tjera të mishit të gjethit”, kurse loti i dytë i tenderit ishte “furnizim me mish pule dhe produkte të mishit të pulës”.

Për lotin e parë vlera ishte 1 milionë e 291 mijë e 725 euro, kurse për lotin e dytë, apo pjesën e dytë të tenderit, për furnizim me mish pule, bëhet fjalë për 480 mijë e 400 euro.

Kjo vetëm për vitin 2022.

Sërish pronarët e njëjtë fituan tenderët e njëjtë edhe në vitin 2023.

Kontrata me kompaninë “Riki” u nënshkruan në dhjetor.

Sipas dokumenteve publike nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, loti 1 për vitin 2023, apo furnizimi me mish gjethi ishte kontraktuar për 1 milion e 302 mijë e 750 euro.

Kurse pjesa e dytë, e furnizimit me mish pule është 368 mijë e 300 euro.

Sipas të njëjtave kontrata, tregohet se këto kompani të këtyre pronarëve furnizojnë me mish gjethi dhe pule edhe shumë komuna të Kosovës dhe institucione të tjera po ashtu.

Vetëm këto dy lote kapin shifrën e rreth 3.5 milionë eurove që shteti i ka dhënë kontrata kompanisë “Apetit”, apo kompanive të tjera që kanë pronarët e njëjtë, vëllezërit Ferizi.

Kompania “Apetit Group” dhe “Riki” – me të njëjtit pronarë – të kontraktuara nga shteti për të furnizuar QKUK-në dhe të gjitha spitalet e Kosovës me mish

Kur me 1 prill, në një emision në Shqipëri me emrin “Stop” u kuptua se kompania “Apetit” e merr mishin e Brazilit dhe e shet për “mish të freskët të Kosovës”, të nesërmen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës u tha se janë marrë disa vendime për të ndaluar eksportin e kësaj kompanie.

Megjithatë Albanian Post zbuloi se në arkivin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ekziston asnjë vendim i protokolluar i datës 2 prill ku dëshmohet se kompanisë “Apetit Group” iu ka ndaluar eksporti, apo importi.

Pas kërkesës nga Albanian Post dhe pritjes për shtatë ditë, AUV nuk ka mundur të provojë se ekziston ky vendim.

Në kërkesën për qasje në dokumente publike nga AP, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dërguar disa vendime të tjera të protokolluara, siç është ai për formimin e një komisionit që do të bëjë gjuermueshmërinë për këtë rast, gjithashtu është dërguar një vendim i protokolluar për “pezullimin e marrëdhënies së punës” për inspektorin Qenan Maxhuni, i cili kishte falsifikuar certifikatën e sasisë së eksportuar të mishit, por jo edhe vendimin për ndalimin e eksportit, apo importit nga kompania “Apetit”.

Skandali me “Apetit Group” shpërfaqi një sistem të tërë të korruptuar në Ministrinë e Bujqësisë ku një kompani, përmes lidhjeve me shtetin, arrin të falsifikojë disa hallka kontrolli dhe përfundimisht ta shes si mish të freskët të Kosovës, mishin e Brazilit, për të cilin nuk i dihet data.

Zyrtare: Ministri Peci gënjeu publikisht, s’ka vendim të protokolluar se kompanisë “Apetit Group” i është ndaluar eksporti dhe importi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore