Lajme

Shoqëria civile i reagon ministrisë për radhët e gjata të vaksinimit


Organizatat e shoqërisë civile, kanë reaguar ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, pas pamjeve para sallës 1 tetori ku pritej të vaksinoheshin personat në moshën mbi 65 vjeç.

“Ne, organizatat e shoqërisë civile të poshtëshënuara, me shqetësim po ndjekin situatën e krijuar si pasojë e vaksinimit të grup moshës mbi 65 vjet në sallën 1 tetori në Prishtinë, si dhe në rajonet tjera, pas një thirrje të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh-së) të publikuar këtë të Mërkure”, thuhet në komunikatën e përbashkët të këtyre organizatave.

Ata thanë, që një mungesë plani rezulton me infektime të reja, dhe se ministria i ka mundësitë për një organizim më të mirë por nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë.

“Ne konsiderojmë që ministria ka të gjitha kapacitetet për ta menaxhuar këtë situatë dhe është e pakuptueshme se si e njëjta nuk ka arritur të krijojë një sistem dhe infrastrukturë adekuate konsideruar faktin që procesi i vaksinimit do shkojë duke u shtuar dita ditës”.

Sipas shoqërisë civile, MSh-ja duhet të mësoj nga vendet e rajonit dhe të decentralizojë procesion e vaksinimit duke krijuar qendra të reja në Prishtinë dhe jo vetëm, “një gjë e tillë është absolutisht e bëshme dhe do të evitonte radhët e gjata, përkatësisht do të ruante shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës”.

Organizatat që u bashkuan për këtë reagim janë Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Organizata ÇOHU!, Instituti KIPRED, EC Ma Ndryshe, Lëvizja FOL, Instituti Demokratik i Kosovës – KDI, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF, Demokraci për Zhvillim  – D4D, Demokracia Plus – D+, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, Instituti GAP dhe Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF.

Tek qendra e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë gjatë ditës, janë krijuar radhë të gjata, duke shkaktuar tollovi të madhe para hyrjes së sallës, ndërkohë që për këtë, Policia e Kosovës është detyruar të intervenojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore