Lajme

Shkrepje armësh e shpërthime në Veri – “janë aktivizuar grupet kriminale”


Tensionet janë rikthyer në komunat Veriore të Kosovës të martën, teksa në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veriore janë dëgjuar shkrepje armësh, shpërthime dhe janë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor, duke ua pamundësuar zyrtarëve të KQZ-së të futen në to ani se ishin të shoqëruar nga njësitë policore.

Njohësit e çështjeve të sigurisë, thonë se tashmë janë aktivuar grupet kriminale në pjesën veriore, të cilët po i terrorizojnë qytetarët e asaj ane.

Prandaj, Drizan Shala, kërkon nga organet e sigurisë që të jenë vigjilente, pasi konsideron që ka indice që mund të ketë përshkallëzim të situatës.

“Janë aktivizuar grupet paralele të Serbisë dhe grupet kriminale në pjesën veriore dhe është sinjal për Qeverinë që zgjedhjet në këtë pjesë nuk do të lejohen, pasi nuk do të marr pjesë Lista Serbe”, thotë Shala për Albanain Post

Madje ai vlerëson se situata mund të ndërlikohet siç pati ndodhur edhe me çështjen e targave, pasi serbët lokalë nuk kanë pranuar t’i largojnë targat ilegale të Serbisë.

“Unë mendoj që Qeveria duhet të llogaris që mund të jemi në një situatë të ngjashme si ka qenë ajo situata për targat, por duhet të konsultohen me mekanizimin ndërkombëtar që mos të përshkallëzohet situata më tutje”, shtoi ai.

Zëdhënësi i KQZ-së: Zyrtarët provuan të shkojnë në zyrat e tyre në Veri, por nuk ishte e mundur

Ndërsa ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, incidentet e kësaj të marte në veri i cilëson si provokim.

“Ky është provokim, është rast shumë i izoluar. Nuk është diçka e madh për mua”, thotë Kastrati për AP.

Për të, “nuk ka të bëjë me diçka më serioze” dhe po ndodh për një arsyeje tjetër.

“Me ardhjen e Lajçakut që e solli këtë draft propozimin final ka ndodh ky incident”.

Por, është i sigurt se grupet kriminale dirigjohen nga Lista Serbe.

“Këta i marrin direktivat prej Listës Serbe, Lista Serbe prej Beogradit. Kjo nuk është e rastësishme, janë njerëzit e caktuar që i shkaktojnë këto incidente”.

A mund të shtyhen zgjedhjet në Veri?

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Bajraliu, me gjithë situatën e tensionuar në veri, kosideron që zgjedhjet lokale duhet të mbahen.

“Ekziston mundësia të shtyhen zgjedhjet kur gjitha rrethanat dhe mundësit kufizohen, por jo për këso gjerash. Këto janë veprime terroriste dhe kriminale që i bëjnë njerëzit e Vuçiç-it”, thekson Bajraliu për AP.

Por, potencon se kjo varet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Në Kushtetutë janë afatet, ekziston obligimi ligjor në nenin 4 për zgjedhjet lokale. Nuk mund të lëvizin afatet sepse është shkelje e kushtetuese”.

Ai insiston që Ligji dhe kushtetua duhet zbatuar, “nëse nuk ka kandidat atëherë përsëritet zgjedhjet dhe caktohet një fat tjetër”.

Nga 5 nëntori komunat me shumicë serbe në Veri janë duke funksionuar pa kryetarë të komunave për shkak se të njëjtit kanë dhënë dorëheqje.

Jo vetëm kryetarët, por edhe deputetët, policët, gjyqtarët, prokurorët serbë kanë dhënë dorëheqje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – do të mbahen më 18 dhjetor.

EULEX flet për Albanian Post rreth situatës së fundit në Veri

Albanian Post kishte raportuar me 25 tetor se ndërkombëtarët kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës shtyrje të afateve për targat, pikërisht sepse kishin parë një raport shqetësues të inteligjencës së EULEX-it, mbi paraqitjen e një force paramilitare serbe në veri të Kosovës.

Sipas burimeve të AP-së, këto gjetje janë mbështetur edhe nga inteligjenca e KFOR-it dhe janë prezantuar para autoriteteve më të larta diplomatike.

Raporti thotë se kjo forcë paramilitare, që në disa vende figuron nën emërtimin “Brigada e Veriut”, ka rreth 300 anëtarë të armatosur mirë.

Mosha mesatare e tyre është rreth të 30-tave, dhe tashmë kanë nisur patrullimet në zona të caktuara.

Patrullimi, siç mëson AP, bëhet kryesisht natën.

Raporti i inteligjencës i cilëson ata si kërcënim akut për sigurinë dhe rendin në Kosovë.

Një pjesë e tyre konsiderohen që nuk janë me origjinë nga Kosova, por janë të ardhur nga Serbia, mbase edhe nga Republika Serbe e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Pavarësisht që një pjesë e tyre lënë përshtypjen se mund të jenë nën ndikimin e alkoolit dhe substancave tjera, nga ana taktike konsiderohen që zotërojnë përgatitje të theksuar ushtarake.

Kush qëndron prapa tyre?

Të gjitha indikacionet çojnë drejt Bossit të grupit me inicialet M.R., që drejton nga ski-rezortet në Kollashin.

Megjithatë, sipas burimeve diplomatike, që për Albanian Post kanë komentuar raportin e EULEX-it, organizime dhe lëvizje të tilla të formacioneve të armatosura, nuk mund të ndodhin pa një aprovim të heshtur nga autoritetet e Serbisë.

Burimet diplomatike të AP shprehin shqetësimin që elementë pro-rus, brenda strukturave shtetërore të Serbisë dhe jo vetëm, janë duke u angazhuar në funksion të përshkallëzimit, me synim final një konfrontim të armatosur.

Në rast të kësaj të fundit, ky zhvillim doemos që do të përfshinte edhe trupat e NATO-së në Kosovë.

Ekskluzive: 300 të armatosur në Veri, raportet e inteligjencës zbulojnë grupin paramilitar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore