Lajme

Shkon në Kongresin amerikan rezoluta për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi nga Serbia


Përmes një rezolute, Shtetet e bashkuara të Amerikës, po i kërkojnë shtetit të Serbisë që të vë para drejtësisë vrasësit e vëllezërve Bytyqi në vitin 1999.

Kjo rezolutë, siç është prezentuar në Twitter nga mirëmbajtësit e faqes “Vëllezërit Bytyqi”, thuhet se ka kaluar në Kongresin amerikan.

“Rezoluta e vëllezërve Bytyqi rifutet në kongresin amerikan! Rezoluta ka kaluar lehtësisht në vitet e mëparshme. Faleminderit kongresmenit Nick LaLota për prioritizimin e drejtësisë për familjen Bytyqi”, thuhet në postimin në Twitter.

Thirrja për drejtësi nëkëtë rast është bërë në vazhdimsi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata i kanë kërkuar Serbisë që të ndriçojë vrasjen dhe të mbajë përgjegjës autorët e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë.

Të tre vëllezërit Bytyqi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë. Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Siç shkruan VoA, një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.

Në dhjetor të vitit 2018, Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe, Goran Radosavleviç – Guri, ndaj të cilit, siç thuhej në njoftim, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore