Kosova

Shkon në 8 numri, Policia e Kosovës njofton për djegien e 3 veturave të tjerë në Veri


Ilustrim

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se me 1 prill pas mesnate në Veri, në dy raste të ndara, janë djegur edhe tri vetura të tjerë të serbëve, dy me targa RKS dhe një me targa të Beogradit.

Me rastin e fundit numri i veturave të djegura brenda 3 ditëve në Veri ka shkuar në tetë.

Rasti i parë sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Komunën e Leposaviqit, gjegjësisht afër kopshtit të fëmijëve.

“Një veture me targa RKS i është vënë zjarri, po ashtu nga zjarri është përfshirë edhe një veturë tjetër me targa të Beogradit që ishte afër veturës me targa RKS. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin”, thuhet në njoftim.

Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur po ashtu në Leposaviq, afër qendrës së sporteve, ku një veturë me targa RKS është djegur nga persona të dyshuar.

“Në të dy rastet, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin”.

Ndryshe Policia e Kosovës, kishte bërë të ditur se të enjten pas mesnate në Veri të vendit janë djegur tri vetura me targa RKS, pas dy veturave të djegura të mërkurën në mesnatë, po ashtu me targa RKS, të cilat u përkasin qytetarëve me nacionalitet serb.

Djegia e veturave të serbëve, të cilët kishin vendosur t’i konvertonin targat e makinave të tyre nga ato ilegale “KM” në legale “RKS” kishte shkaktuar reagime të shumta si nga kori diplomatik ashtu edhe nga zyrtarë institucional e liderë opozitarë.

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë dënuar ashpër shkatërrimin e pronës private, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale.

Të njëjtin kanë bërë thirrje agjencive të zbatimit të ligjit që të identifikojnë dhe ndjekin me shpejtësi përgjegjësit.

Për incidentet në Veri kishte reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se djegia e veturave të serbëve është një tregues serioz se Serbia po përgatit një skenar për pengimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veri të Kosovë të cilët pritet të mbahen më 23 prill.

Lidhur me djegien e veturave në Veri ka reaguar edhe shefi i kabintetit të presidentes së Kosovë, Blerim Vela, i cili njëjtë sikur Haradinaj, ka konsideruar se incidentet kanë të bëjnë me zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës.

“Mbrëmë janë djegur edhe tre makina të tjera vetëm se kishin targa RSK. Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike për të prishur jetën normale dhe zgjedhjet e 23 prillit”, ka shkruar Vela në rrjetin e tij social në Twitter.

Ilustrim

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Ndryshe më 23 nëntor Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje për targat në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, përmes një deklarate të lëshuar në ditën e arritjes së marrëveshjes kishte thënë se është rënë dakord rreth masave për çështjen e targave në atë mënyrë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshme dhe se Ujdia “detyronte Serbinë që të ndalojë lëshimin e targave të reja me akronime si ‘KM, PZ, PR’ në njërën anë ndërsa Kosovën në anën tjetër të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm lidhur me riregjistrimin e automjeteve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore