Lajme

“Shkëputja e Republikës Sërpska nga BeH” – SHBA-të: Retorika separatiste e Dodik-ut e rrezikshme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, ka dënuar retorikën ultra-nacionaliste e irredentiste të Millorad Dodikut, presidentit të Republikës Sërpska – eniteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë – i cili kërcënoi me shkëputje të entitetit në fjalë nga Bosnja e Hercegovina.

​Sipas Ambasadës Amerikane, deklaratat e Dodik-ut janë të rrezikshme dhe kundër Marrëveshjes së Dayton-it.

“Retorika separatiste e Milorad Dodik është e rrezikshme jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjë-Hercegovinës, por për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Deklaratat si kjo, si dhe veprimet e Dodik-ut kundër Marrëveshjes së Dayton-it dhe përpjekjet për të minuar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës, sipas Ambasadës Amerikane janë pikërisht arsyeja pse Dodik është nën sanksionet e SHBA-së.

“Sipas kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës nuk ka të drejtë që një ent apo ndonjë njësi tjetër nënshtetërore të shkëputet. Iluzionet e Dodikut janë një devijim i rrezikshëm nga e ardhmja paqësore, demokratike dhe e begatë që qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës, përfshirë edhe ata që jetojnë në Republika Sërpska”.

Shtetet e Bashkuara, thekson ambasada ndër të tjera, gjithmonë kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështesin integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore