Shqipëria

Shkëlqim Cani thirret si dëshmitar për çështjen e koncesionit të sterilizimit


Ish-ministri i Financave në Shqipëri, Shkëlqim Cani, është thirrur për dëshmi në Prokurorinë e Posaçme SPAK, lidhur me çështjen e koncesionarit të sterilizimit.

Cani mësohet se është thirrur si person në dijeni dhe pritet të paraqiten gjatë paradites së 17 gushtit në institucionin e lartë hetues.

Lidhur me këtë çështje, mëngjesin e 17 gushtit janë arrestuar ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, si edhe biznesmeni që ka fituar tenderin 100 milionë eurosh, Ilir Rrapaj, i cili akuzohet për mashtrim të rëndë.

Ndërsa, siç ka arritur të mësojë Albanian Post, edhe nëntë persona të tjerë do të arrestohen, pas urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK.

Prej tyre, gjashtë janë ish-zyrtarë të ministrisë dhe të tjerë janë biznesmenë.

Katër urdhër-arreste, mësohet se janë lëshuar për të proceduar me burgimin e personave. Teksa, katër të tjerë, me masën e ndalimit arrest shtëpie.

Një urdhër për detyrim paraqitje ndërkaq e ka marrë edhe Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë.

Dosja e sterilizimit ka qenë një ndër më të nxehtat e paraqitura në SPAK, e denoncuar fillimisht nga Nisma Thurje në dhjetor 2019.

Asokohe, SPAK e mori në pyetje tre herë ish-zëvendësministrin. Ai rezulton se përmes një memoje të lëshuar më 26 qershor 2014, ka përmendur qendrën e sterilizimit në QSUT, si vend i mundshëm ku mund të përballohej sterilizimi i instrumenteve për 60 mijë operacione.

Kjo provohet edhe nga një shkresë me numër protokolli 693/4, e cila thekson se vlera e pajisjeve të marra në dorëzim nga koncesionari shkon në 107 milionë lekë.

Argumentimi për këtë tender, i dhënë nga ish-zëvendësministri, është ai i shmangies së prokurimit publik, shtyrë nga situata e infeksioneve të larta.

SPAK-ut iu desh tre vjet të hetonte mbi çështjen, që të vinin tashmë arrestimet e para.

Po ashtu, së bashku me Rrjepajn, mësohet se është arrestuar edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili mbrëmjen e 16 gushtit u shoqërua nga Policia, pasi nuk kishte pranuar të dëshmonte me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme SPAK, sa i takon çështjes.

Ai akuzohet për “mashtrim me pasoja të rënda” lidhur me rastin.

Ai është shoqëruar pikërisht për t’u marrë në pyetje mbi këtë hetim që SPAK po zhvillon, pasi kompania “Investital LLC”, ka fituar të drejtën e koncesionit të majmë me vlerë 100 milionë euro.

Ai tashmë pritet t’i përgjigjet prokurorëve lidhur me detajet e këtij përftimi.

Sipas një hetimi të gjatë të medias BIRN, për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Perugias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1 mijë e 500 eurosh.

Në vitin 2013, me ardhjen e socialistëve në pushtet, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës, u kthye në Shqipëri. dy vjet më pas, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, ai u shpall fitues i kontratës koncesionare prej 100 milionë eurosh, por me një tender tejet të kundërshtuar.

Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1 mijë eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40% të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Ortakët e Rrapajt në konsorcium janë tre kompani nga rajoni i Umbrias, përfshirë “Servizi Italia”, e cila ka një eksperiencë 35-40 vjeçare në fushën e sterilizimit dhe mbetjeve spitalore, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Konkurrent në tender kanë qenë gjithashtu një grup tjetër operatorësh ekonomikë Italianë si: “S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente”, të përfaqësuar nga kompania “Action Laundery” me qendër në Durrës.

Konsorciumi humbës pretendon që shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj ka shumicën e aksioneve është e paligjshme, pasi ai ka dhënë një ofertë që tejkalon fondin limit.

Ajo e ka ankimuar vendimin e Komision të Vlerësimit të Ofertave, KVO të Ministrisë së Shëndetësisë në Komisionin e Prokurimit Publik, KPP.

KPP-ja ka kërkuar rivlerësimin e vendimit fillestar të KVO-së, por kjo e fundit ka marrë një vendim të dytë, duke e shpallur përsëri grupin e kompanive ku përfshihet Investital LLC si fitues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore