Përballje

Shiten 10 mijë bileta për ndeshjen Llapi – Buducnost


10 mijë është numri i biletave të shitura për ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës, ku Llapi do ta presë skuadrën malazeze, Buducnost.

Lajmin e ka bërë të ditur trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili tha përmes një postimi në Facebook, tha se në stadium do të mbretërojë kënga “O sa mirë me qenë shqiptar”.

“Faleminderit gjithë kombit shqiptar për mbështetjen dhe kam një lutje nga gjitha tifo-grupet tona shqiptare që të dominoj brohoritja ‘O sa mirë me qenë shqiptar’”, shkruan Batatina.

“Tash po e kuptoj vlerën e luftës kur isha 21 vjeç që po më kthejnë emocionet e mëparshme nga lufta”.

“Sapo më njoftuan se 10,000 mijë bileta janë shpërndarë tek kombi shqiptar dhe qytetarët e Kosovës për këtë ndeshje”, shkruhet në postimin e Batatinës.

Kujtojmë që ndeshja e parë që u luajt para një jave në Podgoricë, përfundoi me rezultat 2:0 në disfavor të Llapit, andaj ekipi kosovar synon rikthimin në këtë ndeshje.

Për këtë takim është bërë një mobilizim i madh nga skuadra e Llapit, të cilët kanë bërë thirrje nga të gjitha tifo-grupet që të shkojnë në stadium të enjten.

Shumë bileta janë paguar nga biznese të ndryshme kosovare.

Kjo thirrje e podujevasit erdhi gjithashtu pasi në ndeshjen e parë në Podgoricë pati shumë këngë anti-Kosovë nga tifozëria “Varvari” që shumica prej tyre janë serbë.

Ndeshja Llapi – Buducnost do të zhvillohet këtë të enjte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore