Lajme

“Shëndetësia u shkatërrua që tre vjet me Vetëvendosjen”, ish-ministri i Shëndetësisë intervistë për Albanian Post


Ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Më ndërrime ministrash, rikthime, dorëheqje, lista të pritjeve të gjata, mungesa të shërbimeve, rritje të çmimeve të barnave, infuzioneve, mungesë të infrastrukturës së duhur në QKUK, e krejt në fund largimi çdo vit e më shumë i mjekëve nga Kosova.

Kjo është shëndetësia që e ka sjellur Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë, sipas ish-ministrit të Shëndetësisë dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Ish ministri i Shëndetësisë që kishte udhëhequr këtë dikaster gjatë vitit 2020, në një intervistë për Albanian Post thotë se problemet e mëdha nuk mund të zgjidhen pa u zgjidhur një herë ato që konsiderohen më të vogla.

Nga këndvështrimi i tij, shëndetësia deri tani as s’ka pasur përmirësim dhe as nuk do të ketë me lëvizjet që po i sheh aktualisht.

Edhe për reformat në shëndetësi ai thotë se nuk janë duke u vërejtur  pasi “dështimi e reformat” nuk qëndrojnë në një drejtim së bashku.

Por, mbi të gjitha Zemaj pohon se në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), vazhdon të ketë korrupsion e politizim të vazhdueshëm.

Foto: Albanian Post

Intervista e plotë e Armend Zemaj:

Albanian Post: Më 14 shkurt u bënë dy vjet që kur Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet që me këtë rast mori edhe udhëheqjen e ministrisë së Shëndetësisë, si e keni parë menaxhimin e Shëndetësisë së Kosovës në këto dy vjet, a ka pasur përmirësime dhe ku konsideroni se ka ngecje në Shëndetësi?

Armend Zemaj: Menaxhim nuk ka e dështim sa të duash. Në fakt qysh në fillim të përgjigjes në këtë pyetje dua të them se Ministria e Shëndetësisë gjatë këtyre viteve të Qeverisë Kurti, më shumë është karakterizuar si institucion pa menaxhim fare, se sa që ka pasur menaxhim.

Tani kur nuk ka menaxhim nuk ka as sukses, por ka degradim. Siç e keni parë edhe ju ndërrime ministrash, ikje, ardhje, rikthime, dorëheqje.

Një raport krejt i papërgjegjshëm me shëndetësinë e ka karakterizuar, mentalitetin e funksionimit ditor të ministrisë në fjalë, një tallje me qytetarin, një tallje me pacientin, edhe në kohë pandemie edhe tash pas saj.

Albanian Post: Sistemi i shëndetësisë në Kosovë përballet me jo pak probleme, nisur nga kritikat për keqmenaxhim, ikja e personelit shëndetësor e deri te mungesa e barnave. Cili është, sipas jush, hapi i parë që duhet bërë për të filluar përmirësimin?

Armend Zemaj: Prioritet jo, humbje po. Hapi i parë dhe ndoshta më kryesori është vendosja e sektorit të shëndetësisë si prioritet qeveritar, kur them prioritet nuk duhet të mbetet vetëm në rrafshin deklarativ.

Prej mënyrës si i kanë trajtuar emergjencat shëndetësore e deri tek mungesa e vizionit, kjo qeveri e ka dëshmuar se shëndetësinë nuk e ka as prioritet. Pra, prioritet jo, vullnet politik jo, sektori i shëndetësisë ka mbetur në mëshirë të fatit.

Albanian Post: Gjatë kësaj periudhe është diskutuar shumë edhe për reformat, edhe pse vlerësimet për rezultatin e këtyre reformave nuk janë edhe aq pozitive. Pse?

Armend Zemaj: Reformë me fjalë e degradim me rezultatet. Thënë të drejtën nuk e di për çfarë reforma është fjala sepse dështimi dhe reforma nuk qëndrojnë së bashku.

Ministria e Shëndetësisë në agjendën legjislative ka planifikuar miratimin e tetë ligjeve për këtë sesion të Kuvendit, ndërsa ka arritur të miratoj vetëm një projektligj në lexim të parë.

Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale, edhe atë me votat e opozitës, konkretisht të LDK-së. Reformat nuk bëhen pa miratimin e ligjeve te reja dhe ndryshim-plotësimin e atyre ekzistuese, fjala reformë është fjala më e përdorur e pushtetit aktual që shërben për të mbuluar paaftësinë në vendimmarrje e qeverisje.

Albanian Post: Në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka pasur vazhdimisht edhe ndryshime të drejtorëve por sërish lista e pritjes nuk është zvogëluar. Përse mendoni se po vazhdon të ndodhë kjo?

Armend Zemaj: Kapja e madhe e institucioneve të shëndetësisë nuk ka të ndalur. Listat e pritjes nuk zvogëlohen me shkarkime dhe emërime puro politike.

Ndryshimet të cilat po ndodhin edhe në SHSKUK, edhe në klinika të ndryshme janë kryesisht të karakterizuara haptazi me një tendencë të pushtetit për kontroll politik të secilit veprim dhe secilit vendim, duke cenuar edhe funksionimin e përditshëm të sistemit spitalor.

Shembulli më i mirë për këtë flet fakti se si sekretari permanent i MSH-së emërohet gjithashtu edhe kryesues bordi në SHKUK, do të thotë kemi përzierje kompetencash, nuk dihet kush kujt i raporton, ata njëri-tjetrit, e ndonjëherë edhe vetes.

Albanian Post: Ngecja e Shëndetësisë në Kosovë mund të ketë ndodhur edhe për shkak të korrupsionit dhe politizimit të vazhdueshëm. Sa mendoni se aktualisht këto të dyja janë të pranishme në këtë dikaster?

Armend Zemaj: Kapja e institucioneve shëndetësore e dëshmon vullnetin e plot dhe qëllimin final për keqpërdorim.

Albanian Post: A mendoni se do të ketë ndryshime në Shëndetësi në aspektin pozitiv deri në fund të vitit apo ky sektor do të shkoj vetëm drejt degradimit dhe si opozitë, sa keni pasur ju mundësi të reagoni për të bërë përmirësime?

Armend Zemaj: Nuk shoh vullnet të mirë për ndryshime pozitive madje të jem krejt i sinqertë pa dashur të tingëllojë pesimist, nuk kam asnjë pritje se mund të ketë ndryshime, sepse qasja e pushtetit nuk jep shpresë për ndryshime pozitive.

Nuk shoh vullnet për ndryshime pozitive, ka më shumë fjalë se sa punë, ka mosdije prej tyre, dhe nuk ka gatishmëri për të dëgjuar e bashkëpunuar.

Sa i përket opozitës, flas për LDK-në, vazhdimisht në forma të ndryshme kemi adresuar kritikat tona, edhe në Kuvend edhe jashtë tij në platforma të ndryshme, por nuk kemi mbetur vetëm tek kritika shpesh kemi ofruar mbështetje në raste të caktuara, por të njëjtën përgjigje nuk e kemi marrë nga pushteti i VV-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore