Lajme

Shefi i OBSH-së kritikon indiferencën ndaj krizës në Tigray


Kreu i OBSH-së e ka përshkruar krizën në Tigray të Etiopisë si “katastrofën më të keqe në Tokë”.

Dhe se arsyeja pse liderët globalë nuk i janë përgjigjur kësaj krize është “ngjyra e lëkurës së njerëzve”.

Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se situata e shkaktuar nga konflikti në vendin e tij ishte më e keqe se çdo krizë tjetër humanitare në botë.

Konflikti nisi në nëntor 2020 dhe pak ndihma humanitare mbërritën pasi forcat Tigray rimorën pjesën më të madhe të rajonit në qershor 2021.

Ndihma është shtuar në muajt e fundit, por është përshkruar gjerësisht si e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e miliona njerëzve të bllokuar atje.

Rifillimi i shërbimeve bazë dhe bankave mbetet një kërkesë kryesore e liderëve rajonalë Tigray.

Sipas Tedros, gjashtë milionë njerëzit në Tigray, në thelb të shkëputur nga bota, kanë qenë “nën rrethim” për 21 muajt e fundit.

Ai e ka përshkruar konfliktin e Ukrainës si një krizë që e bëri komunitetin global potencialisht të “përgjumur në një luftë bërthamore” që mund të ishte “shkaku i të gjitha problemeve”.

Ama ka argumentuar se fatkeqësia në Tigray është shumë më e keqe.

“Nuk kam dëgjuar në muajt e fundit asnjë kryetar shteti të flasë për situatën e Tigray kudo në botën e zhvilluar. Kudo. Pse? Ndoshta arsyeja është ngjyra e lëkurës së njerëzve në Tigray”, ka thënë ai.

Njerëzit atje, sipas atij, nuk kishin akses në mjekësi dhe telekomunikacion dhe u penguan të largoheshin nga rajoni. Megjithatë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në muajt e fundit ka raportuar dërgesa të disa ilaçeve.

“Askund në botë nuk do të shihni këtë nivel mizorie, ku është një qeveri që ndëshkon gjashtë milionë njerëz të saj për më shumë se 21 muaj”, ka thënë shefi i OBSH-së.

Kjo nuk është hera e parë që ai flet për situatën në Tigray.

Në fillim të këtij viti, qeveria e Etiopisë i dërgoi një letër OBSH-së, duke akuzuar Tedros-in për “sjellje të keqe” pas kritikave të tij të ashpra për luftën dhe krizën humanitare në vend.

Qeveria etiopiane ka thënë se Tedros po përdorte zyrën e tij “për të çuar përpara interesat e tij politike në kurriz të Etiopisë”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore