Lajme

Shefi i IDF-së: Ofensiva tokësore në Gaza është thelbësore për të arritur qëllimet e luftës


Shefi i Shtabit të IDF-së, gjeneral-lejtant Herzi Halevi në një video-deklaratë thotë se për të mposhtur Hamasin dhe për të kthyer pengjet që grupi terrorist po mban, Izraeli duhet të kryejë një ofensivë të madhe tokësore në Rripin e Gazës.

“Kanë kaluar tre javë nga fillimi i luftës. Kjo luftë ka faza dhe sot ne kaluam në një fazë të re”, thotë Halevi, duke iu referuar operacioneve tokësore të vazhdueshme dhe të zgjeruara në Gaza.

“Forcat tona aktualisht po kryejnë operacione tokësore në Rripin e Gazës… të cilat shërbejnë për të arritur të gjitha objektivat e luftës: shpërbërjen e Hamasit, sigurinë në kufij dhe përpjekjet më të larta për të kthyer të gjithë pengjet në shtëpi”, thotë ai.

Sipas tij, objektivat e luftës kërkojnë hyrje në tokë.

“Nuk ka arritje pa rreziqe dhe nuk ka fitore pa paguar çmime”, vijon ai.

Halevi thekson se “për të ekspozuar armikun dhe për ta shkatërruar atë, nuk ka rrugë tjetër veçse të hyjmë në territorin e tij me forcë të madhe”.

Ai shtoi se operacionet tokësore “u shërbejnë të gjitha objektivave të luftës”.

Ushtaraku i lartë izraelit gjithashtu thotë se kthimi i pengjeve “është një përpjekje kombëtare me rëndësi të madhe”.

“Hamasi tani po mban të pafajshëm – foshnja, fëmijë, gra, burra dhe qytetarë të moshuar”, thotë ai. “Ne do të bëjmë gjithçka për të pasur sukses në këtë përpjekje”.

“Ne kemi vendosur synime të qarta, rruga do të jetë e gjatë… do të luftojmë me vendosmëri dhe do të fitojmë”, ravijëzoi në përmbyllje Halevi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore