Lajme

SHBA-të mbështesin vendimin e Schmidt për ndryshimet Kushtetuese në BeH


Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbështetur vendimin e përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt për ndryshimin e Kushtetutës së entiteteve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës si dhe ligjeve penale në këtë shtet.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht veprimin e përfaqësuesit të lartë për të ndihmuar Bosnjën dhe Hercegovinën të ecë përpara drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar Blinken në Twitter duke shtuar se populli i BeH-së ka nevojë dhe meriton një qeveri funksionale, efikase dhe të përgjegjshme.

Ndryshe edhe ambasada amerikane në Bosnjë e Hercegovinë, të enjten, përshëndeti vendimin e kreut të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë.

“Është për të ardhur keq që përfaqësuesi i lartë duhej të ndërhynte. Megjithatë, është e qartë se edhe një periudhë tjetër e qeverisjes me mandat teknik, do të ishte e dëmshme dhe destabilizuese jo vetëm për Federatën boshnjake-kroate, por edhe për të gjithë Bosnjë e Hercegovinën”, ka theksuar ambasada e SHBA-së në Bosnjë, përmes Twitter-it.

Më 27 prill, përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, ka bërë ndryshime të përkohshme në Kushtetutën e entitetit të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, për të lehtësuar formimin e Qeverisë pasi Federata Boshnjako-Kroate, një rajon autonom, nuk ka arritur ta formojë qeverinë që nga zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, meqë Partia e Veprimit Demokratik, SDA – partia më e madhe boshnjake – ka bllokuar çdo propozim që nuk përfshinte ministrat e saj.

Ish-politikani gjerman, Christian Schmidt, i cili ka kompetenca të mëdha si Përfaqësues i Lartë ndërkombëtar në Bosnje, ka bërë ndryshime në kushtetutë në mënyrë që vetëm dy nga tre anëtarët e presidencës së Federatës duhet ta mbështesin një qeveri të propozuar për ta dërguar atë në parlament, duke anashkaluar kështu anëtarin e presidencës nga SDA-ja.

Më 28 prill, një grup i qytetarëve dhe disa anëtarë të Partisë boshnjake për Veprim Demokratik po protestojnë para Parlamentit të Federatës boshnjake-kroate, për shkak të vendimit të përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt.

Për protestë ka bërë thirrje Partia e Veprimit Demokratik (SDA), partia më e madhe boshnjake në Bosnjë e Hercegovinë, e cila i konsideron vendimet e Schmidt për formimin e qeverisë si “të papranueshme” dhe “jokushtetuese”. Kjo parti nuk do të jetë pjesë e pushtetit nëse të premten konfirmohet qeveria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore