Lajme

SHBA-të bllokojnë 9.5 miliardë dollarë të Afganistanit


Rreth 9.5 miliardë dollarë në asete, të cilat i përkasin Bankës Qendrore afgane, janë bllokuar nga SHBA-të, përfshi mundësitë për dërgim parash brenda Emiratit Islamik tashmë, në përpjekje për të ndaluar talebanët të marrin në zotërim pasuritë e Afganistanit.

Këtë fakt e ka konfirmuar një zyrtar i administratës amerikane për median Bloomberg.

Asetet e Bankës së Afganistanit, të cilat gjenden në SHBA, nuk do të jenë në qasje të talebanëve. Departamenti i Thesarit i ka marrë tanimë masat për bllokimin tërësor të tyre.

Ajmal Ahmady, drejtori në fuqi i bankës, konfirmoi se këtë detaj e ka mësuar që të premten e 13 gushtit. Pra, dy ditë përpara mësymjes talebane në Kabul.

Mbi asetet e bankës brenda territorit afgan, nuk dihet shumë. Por, mendohet se ato janë të pakta, krahasimisht me shumën e gjendur në SHBA. Një pjesë e mirë e tyre mendohet po ashtu se gjendet në vende të tjera.

Nga Departamenti i Thesarit në Washington janë anashkaluar komentet mbi këtë temë. Nga pala e talebanëve ndërkaq, nuk ka asnjë koment lidhur me çështjen.

500 milionë dollarë pë afganët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka autorizuar deri në 500 milionë dollarë në ndihmë të mbështetjes së nevojave të refugjatëve, dhe të tjerëve të rrezikuar nga situata në Afganistan.

Në këtë fond përfshihen dhe aplikantët për viza të veçanta imigrimi.

Një ndihmë e tillë mund të sigurohet në baza dypalëshe ose shumëpalëshe sipas rastit, përfshirë kontributet e Organizatave Ndërkombëtare ose financimit të Organizatave të tjera jo-qeveritare.

Mes polemikave të mëdha mbi trajtimin e tërheqjes së Biden dhe çështjen e evakuuimit të afganëve në rrezik, disa nga e djathta kanë kërkuar të përdorin çështjen e refugjatëve si një mjet sulmi.

Sidoqoftë, të hënën, vetë Trump ndërpreu sulmet ndaj Biden, për të thënë se afganët ndihmuan SHBA-në, ndaj “duhet të strehohen”.

Ndërsa ish -presidenti George W Bush, i cili nisi “luftën kundër terrorristëve” në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit në 2001, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të përshpejtojnë ndihmën për refugjatët afganë.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka autoritetin ligjor për të ulur burokracinë për refugjatët gjatë krizave urgjente humanitare,” tha ai.

“Dhe ne kemi përgjegjësinë dhe burimet për të siguruar kalim të sigurt për ta pa vonesa burokratike.”

Bush tha se ishte “i sigurt se përpjekjet për evakuim do të ishin efektive” me ndihmën e forcave amerikane. Ai shtoi se “aleatët tanë më të fortë, së bashku me OJQ -të private, janë gati.”

Ndërsa Bush dhe gruaja e tij, Laura Bush, shprehen keqardhjen e tyre ” për ngjarjet në Afganistan, ata thanë se jemi optimist që situata do normalizohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore