Lajme

SHBA/ Taylor dhe i biri ekstradohen në Japoni për ndihmën ndaj Ghosn-it


Amerikani Michael Taylor, së bashku me të birin, u janë dorëzuar autoriteteve japoneze për ndihmën që i kanë dhënë ish-drejtorit të Nissan-it, Carlos Ghosn, të largohet nga vendi.

Vitin e kaluar të dy u akuzuan se kishin ndihmuar Ghosn-in të arratisej nga Japonia.

Ai u fsheh në një kuti brenda një avioni privat.

Ghosn shkoi në shtëpinë e tij të fëmijërisë, në Liban. Ky shtet nuk ka marrëveshje ekstradimi me Japoninë.

Michael Taylor dhe djali i tij, Peter Taylor, kanë bërë një betejë disa mujore për të shmangur ekstradimin mbi këtë çështje.

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, muajin e kaluar, hapi rrugën për ekstradimin e tyre. Ata ishin të burgosur në një burg në Boston, që nga arrestimi i tyre në maj.

Prokurorët thanë se të dy morën 1.3 milionë dollarë për të ndihmuar Ghosn të arratisej nga Japonia më 29 dhjetor të vitit 2019.

Michael Taylor është një veteran i Forcave Speciale të Ushtrisë Amerikane. Dikur ai drejtonte Korporatën Amerikane të Sigurisë Ndërkombëtare, një kontraktor ushtarak privat që u përqendrua në ndihmën e njerëzve për të shpëtuar nga situatat e vështira jashtë shtetit.

Sipas një profili nga media Vanity Fair, ai ka asistuar dhjetëra operacione arratisjeje, duke u ngarkuar klientëve diku nga 20 mijë deri në 2 milionë dollarë.

Sipas raporteve të shumta të mediave, arratisja e ish-drejtorit të Nisan nga Tokio në Bejrut ishte planifikuar me përpikëri.

Transmetuesi japonez, NHK, raportoi se pamjet e kamerave të sigurisë treguan se Ghosn u largua nga shtëpia e tij dhe shkoi në një hotel aty pranë. Atje u takua me dy burra të tjerë.

Të tre, më pas, hipën në një tren për në Osaka dhe shkuan në një hotel pranë aeroportit ndërkombëtar të Kansai-t.

Besohet se Ghosn ishte fshehur në një valixhe të zezë, e cila më pas u ngarkua në një avion privat pa u kontrolluar nga autoritetet.

Sistem japonez, “i manipuluar”

Ish-ekzekutivi i Nissan-it u arrestua për herë të parë me akuzat e mashtrimeve financiare në nëntor 2018.

Një numër akuzash të tjera pasuan, duke përfshirë një akuzë nga Nissan se ai merrte parà nga kompania për pasurimin e tij personal.

Multimilioneri kaloi disa muaj në burg dhe në arrest shtëpie.

Pas arratisjes së tij, Ghosn mbajti një konferencë për shtyp në Liban. Ai mohoi akuzat, duke pretenduar se sistemi i drejtësisë i vendit ishte “i manipuluar”.

Milioneri e përshkroi veten si një “peng” në Japoni. Zgjidhja e vetme, sipas tij, ishte vdekja ose arratisja.

Ai gjithashtu shtoi se nuk i lejohej asnjë kontakt me gruan e tij, Carole.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore