Lajme

ShBA-ja e mirëpret Marrëveshjen: Keni mbështetjen tonë, filloni zbatimin e detyrimeve sa më shpejt


Ilustrim

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Adrienne Watson, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë Veriore më 18 mars.

Ajo përmes një cicërime në rrjetin social Twiiter, ka thënë se SHBA-të e mirëpresin marrëveshjen e arritur mes të dyja vendeve, teksa ka bërë thirrje që palët të fillojnë zbatimin e detyrimeve sa më shpejt.

“Ne mirëpresim marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga ShBA-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi Watson.

Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një postim në profilin e tij në Twitter, e ka quajtur marrëveshjen të rëndësishme, duke u shprehur se SHBA-të ofrojnë mbështetje të plotë për implementimin e saj.

“Është arritur marrëveshje e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre detyrimeve në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popullin e Kosovës dhe të rajonit”, thuhet në reagimin e tij.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, janë pajtuar për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve së dakorëdusar më 27 shkurt në Bruksel, pas rreth 12 orë diskutimesh, që u përcoll me pauza e me rikthime në tavolinën e diskutimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore