Bota

SHBA/Biden certifikohet si presidenti i 46-ë i SHBA-së


Joe Biden është certifikuar zyrtarisht nga Senati dhe Kongresi amerikan si presidenti i 46-ë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas një dite nën protesta të dhunshme, bastisjeje të Capitol-it dhe ndërprerjes së procesit të certifikimit, ligjvënësit amerikanë kanë vulosur fitoren e Biden-it.

Joe Biden siguroi 306 vota elektorale nga 270 të nevojshmet.

Kjo fitore e Biden-it, vjen pas një prej proceseve zgjedhore më të mundimshme dhe të zgjatura në historinë e SHBA-së.

Fushata agresive, vuri përballë dy kandidatët më të moshuar për president në vitet e fundit.

Procesi zgjedhor, ishte ndër më të gjatët dhe më të paqartët në dekada. Presidenti Donald Trump, nuk e pranoi kurrë rezultatin e zgjedhjeve. Ai hodhi akuza ndaj disa shteteve për manipulim votash dhe parregullsi në procesin zgjedhor.

Disa shtete shkuan në rinumërim. Ndërkohë, shtete të tjera, u çuan në gjykatë nga ekipi ligjor i Trump-it.

Të gjitha këto kërkesa, u rrëzuan nga gjykatat e shteteve respektive.

Tensionet më të mëdha erdhën në çastin e nisjes së procesit të certifikimit të zgjedhjeve nga Senati dhe Kongresi. Trump-i, i kërkoi republikanëve të bllokonin certifikimin e Biden-it si president. Shumica e tyre nuk pranuan të ishin pjesë e këtij plani.

Ndërtesa a Capitol-it, u vu nën një trysni që nuk shihej prej më shumë se 200 vitesh në SHBA. Protestues të armatosur, bastisën tempullin e demokracisë amerikane.

Për shkak të trazirave, puna në Senat dhe Kongres u ndalua. Ligjvënësit u evakuan menjëherë nga shërbimet sekrete.

Këto protesta shënuan katër të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe të tjerë të arrestuar.

Me normalizimin e situatës, ligjvënësit u kthyen në Capitol. Qëllimi madhor, ishte përfundimi i procesit të certifikimit.

Disa senatorë republikanë, provuan të bllokonin procesin, por pa sukses.

Më 20 janar, Joe Biden inaugurohet zyrtarisht si presidenti i ri i SHBA-së./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore