Lajme

Shantazhi i Vuçiç-it: Nëntë shtete e kanë çnjohur Kosovën


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, në konferencën vjetore drejtuar popullit serb, pretendoi se nëntë shtete tashmë e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Kemi nëntë vende që e kanë tërhequr njohjen, presim të dhjetën”, tha Vuçiç në konferencën për media të mbajtur në Pallatin e Serbisë.

Shtetet që kanë tërhequr njohjen, sipas pretendimeve të Vuçiç-it janë Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia e Maldivet.

Tutje, ai deklaroi se Serbia “vështirë mund t’i kundërshtojë” përpjekjet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, por shtoi se situata është ndryshe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

“Ne do të luftojmë, pasi që dy të tretat e votave duhen për anëtarësim në UNESCO dhe do të jetë pak më e vështirë për ta”.

Ai njoftoi sërish se në janar “po pret që ekspertët të vijnë dhe t’i shpjegojnë” se pranimi i hyrjes së Kosovës në OKB është “e vetmja rrugëdalje e mundshme për Serbinë”.

“Shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar nuk mund të respektojnë asnjë nga ato gjashtë dokumente dhe ne po kërkojmë prej tyre vetëm një”, shtoi Vuçiç, duke kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ndryshe, Kosova është në prag të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe tashmë ka siguruar vota të mjaftueshme për këtë ndërsa ka autoritetet kosovare kanë dorëzuar edhe zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

“Diplomacia e sheqerit” – Cilave shtete iu ofroi Serbia sheqer për ta çnjohur Kosovën?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore