Jetesë & Stil

Shakira akuzohet për herë të dytë për shmangie tatimore prej mbi 6 milionë eurosh


Një prokuror spanjoll ka paraqitur një kërkesë të dytë tatimore kundër këngëtares kolumbiane Shakira, duke e akuzuar atë për mashtrim të shtetit prej 6.6 milionë eurosh në vitin 2018.

E njohur si mbretëresha latine e muzikës pop, Shakira ka zgjedhur të shkojë në gjyq në muajin nëntor në Barcelonë në një rast ku ajo mohon se ka dështuar të paguajë 14.5 milionë euro taksa për periudhën 2012-2014, për të cilën mund të dënohet deri në tetë vjet.

Në çështjen e re, prokurori pretendon se në vitin 2018, Shakira nuk arriti të deklaronte fitime prej 12.5 milionë dollarësh nga një paradhënie për turneun e saj botëror “El Dorado”, shkruan Reuters, transmeton AlbanianPost.

Në atë kohë, ajo ishte në një lidhje me yllin e futbollit të FC Barcelona, Gerard Pique dhe jetonte në qytet me dy fëmijët e tyre.

Prokurorët argumentojnë se ajo ishte rezidente në Spanjë dhe kështu iu kërkua t’i deklaronte të gjitha të ardhurat e saj në mbarë botën atje, pavarësisht se ku ishin fituar.

Në vend të kësaj, thonë ata, ajo i ka devijuar paratë tek “kompanitë me banim në vende me taksa të ulëta dhe me mungesë transparence të lartë”.

46-vjeçja, e cila ka shitur miliona disqe në mbarë botën, akuzohet se nuk ka paguar 5.4 milionë euro tatim mbi të ardhurat dhe llogaritet se ka 6.0 milionë borxhe pasi ka marrë në konsideratë interesat e grumbulluara, por edhe pagesat vullnetare.

Ajo akuzohet gjithashtu se ka mashtruar shtetin prej 773 mijë 600 euro tatim mbi pasurinë, me pasojë një borxh prej 625 mijë 190 euro.

Ekipi ligjor i Shakirës tha se ajo nuk kishte marrë asnjë njoftim për çështjen e re në Miami, ku ajo tani ndodhet.

“Ekipi ligjor i Shakira-s është i fokusuar në përgatitjen për gjyqin për vitet fiskale 2012-14, i cili do të fillojë më 20 nëntor”, thuhet në një deklaratë të dërguar me email.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore