Lajme

Sevilja ndërmerr masa për të mbrojtur pemët e portokallit nga bakteret shkatërruese


Sevilja do të duhet të marrë masa parandaluese për të mbrojtur 48 mijë pemët e portokallit nga bakteret vdekjeprurëse që kanë shkatërruar të korrat e agrumeve në Azi, Amerikën Latine dhe SHBA.

“Life for Citrus”, fushata e BE-së që përfshin Spanjën, Portugalinë, Francën dhe Italinë, po zhvillon strategji për të ndaluar përhapjen e bakterit.

Ndryshe i quajtur Candidatus liberibacter, bakteri përhapet nga insektet dhe mund të shkatërrojë plotësisht një pemë agrume brenda pesë viteve.

Deri më tani infektimi ka arritur nivele epidemike në 48 vende aziatike dhe 53 shtete afrikane, si dhe në Brazil dhe SHBA.

Ai u zbulua në Kinë në vitin 1943, në Afrikë në vitin 1947 dhe në vitin 2005 kishte filluar të shkatërronte portokallet në Florida.

Paçka se nuk ka mbërritur ende në Evropë, insekti që e mbart atë është i pranishëm.

Shenja e parë që një pemë është infektuar janë gjethet e zverdhura dhe të shtrembëruara.

Pastaj pema jep më pak fruta dhe, brenda pesë viteve, merr fund. Nuk ka ende asnjë trajtim në dispozicion. E vetmja përgjigje është gërmimi dhe rimbjellja e pemëve ose marrja e masave parandaluese.

Këshilli i qytetit të Seviljas dhe “Life for Citrus” kanë nisur një skemë pilot për të inkurajuar përhapjen e insekteve dhe shpendëve që prenë dëmtuesit që përhapin sëmundjen, si pjesë e një tendence për të punuar me natyrën dhe jo kundër saj.

Në parkun Buhaira të Seviljas, një plantacion me portokalle që mbulon 1 mijë e 800 metra katrorë do të mbillet me lloje të ndryshme të mbulesës së tokës.

Atje do të instalohen po ashtu vende me insekte dhe kuti fole për të inkurajuar ekosistemin të lulëzojë. Më pas në zonë do të futet insekti.

Që nga viti 2019, stafi i parqeve dhe kopshteve të Seviljas është trajnuar për të dalluar shenjat e infektimit me Candidatus liberibacter.

Qyteti po rrit gjithashtu ndërgjegjësimin e publikut me ekranet që përmbajnë kode QR që ofrojnë informacion, si dhe vizita edukative si pjesë e punës për të ruajtur “trashëgiminë e gjelbër të qytetit, kulturën dhe historinë ”.

Pemët e atjeshme të portokallit përbëjnë rreth 25 për qind të pemëve të qytetit.

Nëse bakteri pushton, vlerësohet se shkatërrimi dhe zëvendësimi i pemëve të prekura do të kushtonte rreth 20 milionë euro, ndërkohë që do t’i privonte Seviljas momentin më magjik.

Bëhet fjalë për pamjen dhe aromën e luleve të portokallit në fillim të pranverës.

Marrë nga “The Guardain”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore