Lajme

Sërish pakënaqësi – specializantët kërkojnë që t’u paguhet kujdestaria


Protesta e specializantëve para ministrisë së Shëndetësisë.

Përsëri para ministrisë së Shëndetësisë kanë protestuar numër i madh i specializantëve.

Ata po kërkojnë që të paguhen për kujdestari, pasi që Komisioni për Buxhet dhe Financa ua ka refuzuar kërkesën për pagesë të kujdestarisë.

Përfaqësuesja e specializantëve në Klinikën e Dermatologjisë, Dinora Mehmeti, ka thënë se kërkesat e tyre do t’i shqyrtojnë deri në pikën e fundit.

“Do të vazhdojmë me protestat  në vijim, ne do ta ndjekim rrugën tonë deri pikën e fundit, për arsye se jemi çdo ditë këtu deri në përfundimin e specializimit që është hiq më pak se pesë vite”, ka thënë Mehmeti për EO.

Ajo po ashtu, ka njoftuar se nëse nuk kanë përgjigje pas mbajtjes së protestës do të vazhdojnë me masa të tjera.

Protesta e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë.

“Nëse nuk kemi përgjigje pozitive ndaj kësaj proteste, gjithashtu do të vazhdojmë deri në rishqyrtimin e buxhetit të Kosovës”.

Përfaqësuesi i specializantëve të Radiologjisë, Flamur Lahu, është shprehur se të njëjtat kërkesa të specializantëve janë tash e sa kohë.

“Ne kemi katër kërkesa kryesore. E para, kalimi i kategorisë së specializantëve nga vetëfinancimi në të rregullt, çështja e dytë është çështja e kujdestarive dhe dy të tjera janë ligji i pagave dhe çështja e ndryshim plotësimit të udhëzimit administrativ për shkollim specialistik që i bën të mundur këto kërkesa që ne po i kërkojmë”, tha Laha.

Ai tutje bën të ditur se nga muaji korrik është ndërpre pagesa për kujdestari gjatë vikendeve dhe një gjë e tillë sipas tij është e padrejtë.

“Unë si mjek i ri i Kosovës i bëj thirrje qeverisë, të gjitha organeve kompetente dhe relevante që çështjen e mjekësisë dhe veçanërisht shkollimit të kuadrove mjekësore ta marrin si prioritet nacional të shkallës së parë”.

Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkaq, shprehet se një mjek detyrohet t’i mbajë dy ose tre vende të punës në mënyrë që të siguroj familjen.

“Fatkeqësisht kërkesa jonë për amendamenti nga Komisioni për Buxhet dhe Financa është refuzuar, por ne nuk do të ndalemi në kërkesat tona të cilat janë të drejta, janë legjitime dhe janë absolutisht të mundshme me u zbatuar”.

Ai shtoi se “një deklaratë e tillë nuk i bën nder Kosovës, nuk i bën nder institucioneve të Kosovës sepse më shumë se kurrë popullit dhe Kosovës i duhet unitet,  i duhet bashkim dhe jo fragmentime, jo gjana të tilla përjashtuese”.

Të ngjashmen protestë, kishte bërë edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë para ministrisë së Shëndetësisë, më 17 shtator.

Edhe, më 2 shtator, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 10 për qind të pagës bruto për stafin shëndetësor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, ka dalë me gjashtë kërkesa.

FSSHK-ja ka kërkuar që shtesat të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e tyre e që ajo të mos jetë më e ulët se 300 euro. Për këtë ka paralajmëruar edhe padi ndaj Qeverisë për shkelje të ligjit kundër pandemisë.

Mirëpo, pas mos plotësimit të këtyre kërkesave kjo Federatë ka marrë iniciativë për protestë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore