Kosova

Serbia pretendon se ka informacione për një varr masiv në Kosovë – “e dimë prej vitesh”


Kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, Veljko Odaloviç, ka deklaruar për media në Serbi se nëse tregohet gatishmëri pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Personat e Pagjetur në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, atëherë do të fillojnë punimet sepse ata janë në dijeni për një varr masiv në Kosovë.

“Kemi informacione për vendndodhjen e mundshme të varrezës masive, por prej vitesh heshtet, nuk kërkohet. Kjo është gjëja më e rëndësishme në gjithë këtë proces”, ka theksuar Odaloviç, duke pretenduar se ishte Kosova që ka bllokuar procesin tash e një kohë.

Ai tha se gjëja e dytë është se do të formohet një komision i përbashkët, i cili duhet të drejtohet nga Bashkimi Evropian, me përfaqësues të Beogradit dhe Prishtinës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili normalisht kryeson grupin punues që merret me personat e pagjetur.

Ai theksoi se këtu një rol më të rëndësishëm kanë edhe familjet.

“Presidenti Vuçiç tha në Bruksel se na duhen 24 orë nga njoftimi i vendndodhjes për ekzistimin e varrit – do të jemi në lokacion. Ne do ta ftojmë Prishtinën të jetë bashkë me ne, ta bëjë atë në mënyrë transparente, por të njëjtën gjë kërkojmë edhe nga Prishtina”, tha Odaloviç.

Veljko Odaloviç

Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen me 2 maj, por Deklarata për Personat e Pagjetur e cila u miratua në mes të Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç’it në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, nuk e ka termin të zhdukur me dhunë (Enforced Disappearance) sipas Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave të Zhdukur me Dhunë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por e ka termin të zhdukur me forcë (forcibly disappeared) që përbënë një terminologji jashtë konventave ndërkombëtare përmes së cilës nuk mund të kërkohet dëmshpërblimi/kompensimi.

Arsyeja e rëndësisë së madhe të terminologjisë së përdorur ka të bëjë edhe me Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave të Zhdukur me Dhunë.

Neni 24 i kësaj konvente flet për kompensimin e viktimave gjegjësisht pika 4 e Nenit 24 thotë “çdo Shtet/Palë do të sigurojë në sistemin e tij ligjor që viktimat e zhdukjes me forcë të kenë të drejtën për të marrë dëmshpërblim dhe kompensim të shpejtë, të drejtë dhe adekuat”.

Me terminologjinë e përdorur në marrëveshje “persons forcibly disappeared” dhe jo siç e përcakton konventa “Enforced Disappearance”, dëmshpërblimi/kompensimi nuk mund të kërkohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore