Kosova

Kurti: Fluturaket serbe janë përgjigje edhe ndaj Amerikës


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në konferencë për media se fluturaket serbe që u panë mbi Jarinje janë njëfarë përgjigje edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm ndaj neve (Kosovës), pasi amerikanët kërkuan mos-veprime të njëanshëm.

Deklarimi i Kurtit erdhi pasi u pyet nga gazetarët se çfarë ka për të thënë rreth komenteve të Zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit Amerikan për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, i cili për Zërin e Amerikës tha se  “të dy palët duhet të përmbahen”.

Escobar deklaroi se përmbajtja duhet të bëhet si për veprimet, ashtu edhe për “retorikën e dëmshme”.

Dhe, meqë edhe pas këtyre thirrjeve të amerikanëve, Serbia dërgoi avionë ushtarakë mbi Jarinje, Kurti atë demonstrim të forcës militare, po e sheh si përgjigje që Serbia ka ndaj Amerikës për mesazhet e saj.

 

Kurti tregon deri kur do të qëndrojnë Njësitë Speciale në kufi

Policia e Kosovës në Jarinje, në ditën e parë të intervenimit

Kryeministri në Konferencë ka folur edhe për qëndrimin e Njësiteve Elitë të Policisë së Kosovës në Veri.

Ai praktikisht ka treguar se nuk ka një ditë të caktuar se kur tërhiqen, pasi kjo varet nga pala tjetër.

“Njësitë Speciale kanë arsye pse janë aty, e që është mbrojtja e pikave kufitare dhe policëve kufitarë. Gjithashtu, është edhe rreziku evident. Duhet të pushojë rreziku në mënyrë që të mos ketë njësi speciale të policisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka lavdëruar shumë punën e policisë, derisa ka kërkuar nga të gjithë që t’i përkrahin e duan ata.

“Asnjë incidente në asnjë pikë kufitare në ditën e gjashtë të zbatimit të vendimit”.

“Aty ku ka polici të Kosovës nuk ka incidente, aty ku nuk ka pas polici të Kosovës ka rrezik për incidente madje edhe akte kriminale me elemente terroriste”, si ai në zyrat komunale në Zubin Potok e Zveçan.

“Gjashtë ditë zbatim të masës e të vendimit të qeverisë asnjë incident. Duket që këtu e kanë hallin zjarrvënësit nga Beogradi. Ata donin q të mos kenë ku të pajisjen qytetarët serbë me targa të Kosovës. Por, Kurrë s’ka qenë më i lartë morali i pjesëtarëve të policisë së Kosovës dhe profesionalizimi i tyre i shkëlqyer”.

“Ju ftoj të gjithëve le t’i përkrahim e t’i duam ata që po e duan Kosovën tonë të dashur. Le t’i falënderojmë bashkë të gjithë”.

 

Kurti: Vulini mendonte se Millosheviçi nuk është mjaftueshëm radikal

Aleksandër Vulin kur ishte më i ri dhe Mira Markoviç, gruaja e ish-kriminelit serb, Slobodan Millosheviç.

Kurti shkurtimisht ka komentuar edhe deklaratën fyese të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili e quajti kryeministrin e Kosovës “budalla”.

“Vulin (ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë) ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Slobodan Millosheviçit, Mira Markoviç. Ai ka qenë zëdhënës dhe i përkiste atyre zyrtarëve serbë që mendonin se Millosheviçi nuk është mjaftueshëm radikal”, ka thënë Kurti.

“Kjo e shpjegon plotësisht se për kë bëhet fjalë dhe çka thotë kur thotë ai atë që e parafrazuat”, ka qenë përgjigja e Kurtit për gazetaren që i kërkoi një koment për deklaratën e politikanit serb.

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, e ka quajtur “budalla”, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, derisa ishte duke folur rreth zhvillimeve në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

 

“Serbia do militarizim dhe eskalim të situatës”, Kurti në konferencë të jashtëzakonshme për media

Kryeministri ka folur edhe për incidentet e sotme në Zubin Potok e Zveçan. Ka thënë se vënia e zjarrit në zyrat komunale atje është veprim kriminal që vjen “nga deklarata nxitëse në Beograd”.

“Serbia do ta militarizojë dhe eskalojë situatën”, deklaroi ai në konferencë të jashtëzakonshme për media, bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Po sjellë edhe fluturake të saj”, deklaroi Kurti, duke shtuar se në terren po përdorë qytetarët e Kosovës, pra serbët e veriut.

“Serbia provon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marr përmasa rajonale”.

Ai ka deklaruar se sa i përket de-eskalimit të situatës, Kosova e ka bërë pjesën e vetë, pasi “ne ftesës për bisedime i jemi përgjigjur pozitivisht”.

“Derisa, presidenti i Serbisë ka refuzuar dhe ka zgjedhur inkurajimin e grupeve kriminale”.

“Prandaj, provokimet të tilla, përfshirë edhe veprimet e sotme kriminale janë të tilla sepse krimi, tensioni, frika dhe kaosi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta këto dy dekada”, deklaroi Kurti, duke iu referuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë serbe.

“I ftojmë qytetarët në Veri pa dallim serbë, shqiptarë, boshnjakë që të mos frikësohen nga veprimet kriminale dhe të mos manipulohen e dirigjohen nga ata që mbijetojnë politikisht falë tensionit”.

Kurti, duke iu rikthyer zjarreve të sotme në Zubin Potok dhe Zveçan, tha se po të mos ishte Policia e Kosovës, këto zjarre do shiheshin në pikat kufitare 1 dhe 31, në Jarinje dhe Bërnjak.

“Paramendoni se çka do të ngjante në pikat 1 dhe 31 sikur aty të mos ishte njësia jonë speciale”.

“Dy sulmet e sotshme janë dëshmi se kjo është synuar në pikat kufitare. Do ta rrënonin kufirin po të mos ishin policia. Ne kemi pika kufitare sepse kemi njësitë tona speciale”.

Në fund të konferencës, Kurti ka bërë me dije se kathirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës”.

“Ajo do të mbahet dikur këtë të shtunë në orët e vona”, deklaroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore