Kosova

Sëmundja e Putin’it me Perëndimin – Në fjalimin për aneksimin e Krimesë përdorte pasazhe nga Deklarata e Pavarësisë së Kosovës


Vladimir Putin

Vladimir Putin kur kishte mbajtur fjalimin për aneksimin e Krimesë kishte përdorur pasuse nga Deklarata e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kjo, në mendjen e tij, për ta zënë ngushtë Perëndimin dhe për t’i treguar se edhe ai mund të bëjë çfarë kanë bërë ata, duke tentuar të nxjerr referencë krahasuese me Kosovën.

“Pasi Putin-in urrejtja për Perëndimin e ka nxjerrë krejtësisht nga realiteti’, thotë, Ivan Krastev, profesori i Shkencave Politike dhe udhëheqës i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje të Bullgarisë, në një intervistë për Spiegel International.

Kastev, në këtë intervistë për Spiegel, ka folur edhe për përvojën e tij në një takim që kishte me Putin-in në Sochi të Rusisë.

Takimi, siç e shpjegon Kastev, studiues i kahershëm i Putin-it, kishte ndodhur në mbarim të një konference vetëm pak kohë pas pushtimit të Krimesë.

Ai e ka shpjeguar presidentin rus si “shumë inteligjent dhe i shpejtë, i drejtpërdrejtë”.

Ndërsa, “shumë sarkastik kur flet me dikë të Perëndimit”.

“Por, janë gjërat e vogla që zbulojnë më shumë se gjithçka tjetër, për njerëzit. Ai fliste për situatën në rajonin e Donbasit si një agjent i shërbimit të huaj që di sa njerëz jetojnë në secilin fshat dhe cila është situata në secilin prej tyre”.

Putin, siç tregon profesori, çdo lëvizje të Perëndimit e sheh me dyshime dhe si një lëvizje kundër tij.

“Ai madje fliste për faktin se kryesisht në administratën e Obamës për politikat në raport me Rusinë ishin përgjegjëse gratë, dhe se kjo është bërë me qëllim për ta poshtëruar atë”.

“‘Hipokrizia e Perëndimit’ i është shndërruar në opsesion, dhe kjo reflektohet në gjithçka që bën Rusia. Në disa pjesë të deklaratës së tij për aneksimin e Krimesë, kishte pasazhe të tëra të marra nga deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e cila ishte mbështetur nga perëndimi”.

Por, krahasimi me Kosovën s’është referenca e vetme e Putinit e thirrur nga e kaluara.

Edhe sulmi në Kiev ka filluar me shkatërrimin e kullës televizive, njëjtë si NATO që kishte sulmuar kullën televizive në Beograd në vitin 1999.

“Ai do që të na mësojë një mësim. Ai do që të na thotë: Kam mësuar nga ju. Edhe nëse kjo do të thotë të bëjë saktësisht të njëjtat gjëra për të cilat na urren. Putin-i jeton në analogji historike dhe metafora. Ata që janë armiq të Rusisë janë nazistë. Dhe kështu, ai shpejt tentoi ta portretizojë konfliktin në Donbas si gjenocid”.

Për Kastev-in, “deklarimet e tepruara të Putin-it janë bërë kaq ekstreme saqë më nuk kanë lidhje me realitetin. Ai është shndërruar në peng të retorikës së vetë”.

Ivan Krastev

Kosova dhe Krimea – krahasimi i paqëndrueshëm i Putin-it

Janë bërë shumë përgënjeshtrime kundër argumentit a-historik të rusëve e Putin-it për krahasimin e dy rasteve, por në dritën e zhvillimeve të fundit, po argumenti i njëjtë ka filluar të përsëritet.

“Nëse në vitin 1999, NATO bombardoi Serbinë e Slobodan Millosheviç-it pa asnjë autorizim të OKB-së për të garantuar pavarësinë e Kosovës, pse Rusia nuk mund të bëjë të njëjtën gjë me ‘regjimin neo-nazist’ të Zelensky-t për të shpëtuar Donbasin dhe Krimenë?”.

Ky është një nga argumentet pseudo-historik që është ringjallur prapë, për ta justifikuar edhe agresionin e Ukrainës.

Por, një shkrim i gazetarit italian, Giuseppe Sarcina, në Corriere della Sera, i përkthyer dhe botuar edhe në Albanian Post, është një nga demaskimet më të mira që i bëhet pallavrës ruse.

Ai shkruan se kjo tezë është pjesë e propagandës së Putin-it prej të paktën njëzet vitesh.

Shpërbërja e Jugosllavisë, dënimi i Millosheviç-it cilësohen si akte të “arrogancës imperialiste” nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane.

Një veprim që kishte si objektiv edhe poshtërimin e Rusisë, shton Sarcina.

Por si shkuan gjërat në fakt?

Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara autorizuan misionin e NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë për të stabilizuar rajonin pas marrëveshjes së paqes të Dayton-it, që shënoi fundin e luftës në ish-Jugosllavi (1992-1995).

Por, në vitin 1999, lideri i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, urdhëroi një fushatë spastrimi etnik në Kosovë, duke sulmuar shumicën e shqiptarëve myslimanë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ndërhyri, sepse Kina dhe Rusia bënë të ditur se do të vendosnin veton ndaj një misioni ushtarak ndërkombëtar.

NATO-ja lëvizi më pas, me nxitjen e presidentit amerikan Bill Clinton, i mbështetur nga një rezolutë e Kongresit Amerikan.

Avionët e Aleancës Atlantike bombarduan Beogradin për 10 javë, derisa Millosheviç-i tërhoqi ushtrinë nga Kosova.

Në vend të tyre erdhën trupat e Aleancës Atlantike. Clinton shpjegoi se operacioni ishte “një detyrë morale për të parandaluar gjenocidin e shqiptaro-kosovarëve”.

Në vitin 2000, Millosheviç-i u rrëzua nga një kryengritje popullore.

Udhëheqësi serb u akuzua më vonë për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe për ish-Jugosllavinë, të instaluar nga Kombet e Bashkuara.

Ai vdiq në vitin 2006, para se të përfundonte gjyqi.

Tani, dallimet me situatën në Ukrainë janë thelbësore, shkruan gazetari italian.

Para së gjithash, ndarja e Krimesë nga Donbas-i u bë me një operacion ushtarak të kryer direkt ose indirekt nga Rusia, duke shkelur parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Nuk ka pasur luftë dhe ne ende nuk e dimë se cili është vullneti i shumicës së qytetarëve që jetojnë në Krime apo Donbas.

Në vitin 2014, në Krime u mbajt një referendum, të cilin OSBE-ja, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e shpalli “të paligjshëm në formë”.

Në Kiev, askush nuk ka planifikuar kurrë “një gjenocid”, siç pretendon Putin, për të zhdukur popullsinë rusisht-folëse.

Nëse ka ndodhur gjë, ka qenë pikërisht e kundërta: shumë ukrainas properëndimorë janë detyruar të largohen nga Donbas-i.

Vënia e Zelensky-t dhe Millosheviç-it në pozita të barabarta do të ishte thjesht qesharake, në mos tragjike, shkruan Sarcina.

Ende sot debatohet nëse shtyrja e Clinton-it bazohej në etikë. Është një përballje mes ligjit dhe moralit. Dhe sigurisht që debati është më se legjitim.

Megjithatë, ajo ndërhyrje, e mbështetur nga aleatët e NATO-s, i lejoi Ballkanit të nisë, pavarësisht njëmijë vështirësish, një proces ndërtimi të demokracisë dhe paqes.

Nga ana tjetër, agresioni i Putin-it synon shkatërrimin e deklaruar të një shteti sovran, të pavarur dhe të udhëhequr nga një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore