Lajme

Sekuestrohen makinat luksoze të Andrew Tate


Nuk do të mbetet asnjë makinë luksoze në pronën e Andrew Tate në Rumani.

Kështu ka vendosur një prokurori në Rumani dhe urdhri është zbatuar menjëherë nga Policia e Bukureshtit.

Koleksioni i tij përfshin mjete luksi të markave Rolls Royce, Ferrari, BMW, Mercedes-Benz, Aston Martin apo Lamborghini.

Tate së bashku me të vëllain, Tristan, janë arrestuar nga prokurorët më 29 dhjetor me dyshimin për trafikim njerëzor, përdhunim dhe formim të një grupi krimi të organizuar për të shfrytëzuar gratë.

Të dy gjithsesi, e kanë mohuar keqbërjen.

Ata u përpoqën gjithashtu që ta apelonin vendimin për sekuestrimin e mjeteve luksove, por pa ia arritur me sukses nismës.

Të dy vëllezërit e njohur në mediat sociale, u lanë në burg për 30 ditë nga një gjykatë rumune, me qëllim hetimin e plotë të gjithë akuzave kundër tyre dhe mospërfshirjes në proces, duke hedhur dyshime se ata mund të përdornin asetet për të korruptuar persona të sistemit të drejtësisë.

Agjencia e krimit të organizuar e vendit, Diicot, tha se sendet u konfiskuan për të parandaluar fshehjen e tyre, për të ndihmuar në pagesën e hetimit dhe për të paguar dëmet për viktimat nëse të dyshuarit dënohen.

Prokurorët në kryeqytetin rumun pretendojnë se dy vëllezërit rekrutuan viktimat e tyre duke i joshur dhe duke pretenduar në mënyrë të rreme se donin një marrëdhënie romantike – e ashtuquajtura metoda “loverboy” e trafikimit të njerëzve.

Viktimat më pas dyshohet se u dërguan në prona në periferi të Bukureshtit ku u detyruan “përmes dhunës fizike, frikësimit mendor dhe detyrimit” të prodhonin përmbajtje pornografike për faqet e mediave sociale, duke gjeneruar fitime të mëdha.

Hetuesit kanë thënë se hetimi, i nisur pasi një nga vëllezërit dyshohet se përdhunoi një nga gratë e trafikuara marsin e kaluar, deri më tani ka identifikuar gjashtë viktima.

Diicot publikoi një video që tregon armë, thika dhe para në skenën e arrestimit të vëllezërve Tate.

Një gjykatës që javën e kaluar zgjati paraburgimin e tyre parandalues nga 24 orë në 30 ditë, tha se duke pasur parasysh “kapacitetin e tyre financiar”, mundësia që vëllezërit mund t’i shmangen hetimit, të largohen nga Rumania dhe të vendosen në vende që nuk lejojnë ekstradimin … nuk mund të injorohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore