Kosova

Sekuestrohen 3 aparate dhe 16 kartela grafike të kriptovalutave në Fushë-Kosovë


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka sekuestruar 16 kartela grafike dhe 3 aparate për prodhimin e kriptovalutave në Fushë Kosovë.

“Me datë 13.01.2022, njësitet policore të Fushë Kosovës, në bashkëpunim me ekipin e KEDS-it dhe zyrtarët e Doganës së Kosovës, në rrugën “Fahri Fazliu” në Fushë Kosovë, kanë gjetur dhe sekuestruar 3 aparate për prodhimin e kriptovalutave dhe 16 kartela grafike”, thuhet në njoftim.

“Marrë parasysh procedurat ligjore lidhur me këtë rast, veprimet e mëtejme do të ndërmerren nga Dogana e Kosovës”.

Të mekurën e 12 janarit, 58 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave i ka konfiskuar Policia e Kosovës në Shtime.

“Te A.G ( M/K) i moshës madhore, në një shtëpi të pa banuar në një fshat të Shtimes, janë gjetur dhe më pas janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, 58 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave, pa dokumentacion”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Në këtë rast janë ftuar edhe një njësi e KEDS-it.

“Për të gjitha këto veprime të Policisë Rajonale të Ferizajt është njoftuar Prokuroria Themelore e Ferizajt, për veprime tjera hetimore”.

Ndërkaq deri me nëntë janar 387 aparate për mihje të kriptovalutave janë sekuestruar në Leposaviq, Mitrovicë Jugore, Vushtrri dhe Prishtinë, pasi Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi më katër janar se është vendosur që në nivel vendi të ndalohet prodhimi i kriptovalutave për ta kursyer energjinë elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore