Lajme

Shteti në aksion kundër kriptovalutave, konfiskohen 387 aparate


387 aparate për mihje të kriptovalutave janë sekuestruar brenda tri ditëve në Leposaviq, Mitrovicë Jugore, Vushtrri dhe Prishtinë, pasi Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi më katër janar se është vendosur që në nivel vendi të ndalohet prodhimi i kriptovalutave për ta kursyer energjinë elektrike.

Pas konfiskimit të 272 pajisjeve të kriptovalutave në Leposaviq, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pati thënë se “këto pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kwh energji elektrike, apo sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive”.

Pajisje per prodhimin e kriptovalutave te konfiskuara nga policia

Sipas tij, me çmimet aktuale të importit, i bie që këto pajisjeje shpenzojnë energji elektrike në vlerë prej 60 mijë deri në 120 mijë euro në muaj.

“Me çmimet aktuale të importit, i bie 60,000-120,000 euro/muaj. Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”.

Edhe, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ishte deklaruar për këtë aksion duke thënë se, “mbi 50,000 Euro në muaj para të taksapaguesve të kursyera vetëm nga ky aksion”.

Ndërkaq, ka shprehur falënderime ndaj institucioneve.

“Falënderoj të gjitha institucionet, e në veçanti Policinë e Kosovës, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm”.

Ekspertët habiten me vendimin e qeverisë

Argumentimi i qeverisë se prodhimi i kriptovalutave duhet të ndalet, sepse pajisjet shpenzojnë shumë energji elektrike, është përqeshur nga ekspertët e teknologjisë.

Milot Mehmeti, njohës i parave digjitale dhe proceseve prodhuese të tyre, në një intervistë për Albanian Post, tha se këto pajisje shpenzojnë fare pak energji.

Vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që disa qytetarë të cilët i kanë prodhuar ato, të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro në vitet e fundit.

Njoftimet për shitjen e pajisjeve po bëhen kryesisht në grupe të ndryshme në rrjetet sociale, ku zakonisht diskutohet vetëm për çështjen e kriptovalutave.

Varësisht nga pajisjet çmimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga 1 mijë e 500 e deri në 8 mijë euro.

Pajisje per prodhimin e kriptovalutave te konfiskuara nga policia

Çka është kriptovaluta?

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir).

Mund të keni dëgjuar tashmë për versionet më të popullarizuara, Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.

Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme.

Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet të bëni hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore