Lajme

Sektori i pronave në SHBA përgatitet për shkurtime të vendeve të punës


Në të gjithë SHBA-të, agjentët imobiliarë dhe vlerësuesit e pasurive të paluajtshme po përgatiten për shkurtime të gjera të vendeve të punës.

Situata vjen pasi shitjet e shtëpive bien në mes të rritjes së normave të interesit.

Për ata që punojnë në këtë treg, efekti i lëvizjeve agresive nga Rezerva Federale (Fed) për të ulur inflacionin ka qenë i shpejtë dhe i rëndë.

“Kaloi nga gosti në zi urie”, ka thënë ekspertja Linda McCoy.

Agjentët imobiliarë, vlerësuesit dhe grupet e ndërtimit thonë se kanë humbur deri në 80 për qind të të ardhurave të tyre që kur Fed filloi të rrisë normat në mars.

Prej asaj kohe, normat për një hipotekë fikse 30-vjeçare janë dyfishuar dhe tani janë në nivelin e tyre më të lartë që nga viti 2008.

Shitjet e shtëpive ranë shpejt pasi kostot më të larta të huamarrjes dhe frika e recesionit dekurajuan blerësit. Gati 20 për qind më pak shtëpi u shitën këtë gusht sesa gjatë të njëjtit muaj të vitit të kaluar.

Për agjentët imobiliarë, të cilët kryesisht punojnë me komision, tregu në ndryshim ka shkatërruar mjetet e jetesës së tyre dhe i ka shtyrë të largohen nga fusha.

“Do të ketë një tronditje të madhe”, sipas ekonomistit Ken Johnson.

“Ka afërsisht 1.5 milionë agjentë, por ky numër do të ulet 20 për qind brenda 24 muajve. Dhe këta nuk janë anëtarët e vetëm të industrisë së pasurive të paluajtshme që varen nga vëllimi i transaksioneve”, ka shuar ai.

Një rekord prej 1.5 milionë amerikanësh punuan si agjentë imobiliare gjatë kulmit të tregut vitin e kaluar.

Mijëra punëtorë të rinj nxituan teksa çmimet e shtëpive u përshpejtuan gjatë pandemisë, duke shpresuar të përfitojnë nga orët fleksibël të punës dhe fitimet e larta.

“Kjo rritje ishte shumë më e fortë se mundësitë e shitjes së shtëpive që ishin në dispozicion. Realiteti është se jo të gjithë do të mbijetojnë”, ka thënë ekonomisti Lawrence Yun.

Nga ana tjetër, në përllogaritjet e pushimeve nga puna nuk përfshihen shumica e agjentëve që punojnë si kontraktorë të pavarur dhe nuk llogariten në të dhënat e vendeve të punës.

Dhe shumë prej tyre do të ndryshojnë modelet e tyre të biznesit ose do të fillojnë punë të dyta për të plotësuar të ardhurat e tyre.

Kurse për shumë të tjerë, rënia e shitjeve të shtëpive mund t’i nxjerrë nga tregu.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore