Lajme

Sekretari i PDK-së: Kryeministri Kurti po merret me thashetheme e fjalë të kafeneve


Betim Gjoshi

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, po mbështetet në thashetheme dhe jo në fakte, pasi ky i fundit hodhi dyshime se ish-kandidati për kryetar të Komunës së Leposaviqit, Aleksandër Jabllanoviç, ka bojkotuar zgjedhjet për shkak të një “oferte luksoze” nga Serbia.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, anëtari i PDK-së ka thënë se pretendimet e kreut të ekzekutivit e kanë “degraduar” postin e kryeministrit dhe, për më tepër, siç ka thënë ai, zyrën e tij një institucion që mbështetet në “thashetheme e fjalë të kafeneve”.

“Deklarata e sotme e Kurtit e degradon postin e kryeministrit dhe e bënë zyrën e tij një institucion që mbështetet në thashetheme e fjalë të kafeneve. Gjithashtu, kjo deklaratë, fyen punën e institucioneve tjera shtetërore dhe sidomos atyre të sigurisë/drejtësisë”, ka shkruar Gjoshi.

Kryeministri Kurti ka hedhur dyshime se politikani serb ka marrë një milion euro dhe dy banesa në Beograd për t’i bojkotuar zgjedhjet lokale të 23 prillit për kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.

“Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Ndoshta nuk është e vërtetë, por gjithsesi duhet të ketë pasur një presion shumë të madhe ose një ofertë shumë luksoze, që e detyroi Jabllanoviçin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë”, ka thënë kryeministri.

Jabllanoviç nga ana tjetër, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti, duke shprehur gatishmërinë që t’ia jap një apartament dhe 500 mijë euro kryeministrit, nëse ky i fundit tregon se ku ndodhen apartamentet dhe pjesa tjetër e parave.

“Në një sistem serioz demokratik sot në Prokurori do të intervistohesha unë ose Albin Kurti, por meqë jemi larg demokracisë, kryeministrit po ia jap një apartament dhe 500 mijë euro, po i kërkoj vetëm të më tregojë ku është apartamenti dhe pjesa tjetër e parave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore